Këto janë paratë më të falsifikuara në Kosovë, kujdes

  • E.K /
  • 03 December 2021 - 10:05
Këto janë paratë më të falsifikuara në Kosovë, kujdes

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti tha se mbi 50 mijë euro është vlera e parave të falsifikuara në tregun e Kosovës, deri në muajin qershor të këtij viti.

“Gjithnjë duke u bazuar në raportet e fundit të pranuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, deri më 30 qershor të vitit 2021 janë identifikuar një numër prej 375 kartëmonedhash dhe 6,054 monedhash të falsifikuara në shumë të përgjithshme prej 50,711.5€. Pjesa më e madhe e këtyre kartëmonedhave dhe monedhave janë konfiskuar nga institucionet financiare gjatë aktivitetit të tyre të rregullt dhe të njëjtat janë tërhequr nga qarkullimi”, njoftoi Ahmeti.

Sipas Ahmetit, kartëmonedhat më e falsifikuar në vitin 2021 është 100, 50 dhe 20 euro.

Këto kartëmonedha përbënin rreth 84 përqind të të gjitha kartëmonedhave të falsifikuara të tërhequra nga qarkullimi.

Ai ka thënë se ashtu sikurse edhe vitet e kaluara monedha më e falsifikuar ishte ajo në prerje prej 2€, e cila përbënte rreth 90 përqind të gjithë numrit të monedhave të falsifikuara të tërhequra nga qarkullimi.

“Sa i përket aspektit denominal, ashtu sikurse edhe vitet paraprake, përgjatë vitit 2021 (deri më 30 qershor), kartëmonedhat më të falsifikuara kanë qenë ato të prerjes prej 100 euro të pasuara nga ato të prerjes 50, 20 dhe 10 euro, të cilat së bashku përbënin rreth 84 përqind të të gjitha kartëmonedhave të falsifikuara të tërhequra nga qarkullimi, ndërsa sa i përket monedhave në vitin 2021 (deri më 30 qershor), ashtu sikurse edhe në vitet e kaluara, monedha më e falsifikuar ishte ajo në prerje prej 2€, e cila përbënte rreth 90 përqind të gjithë numrit të monedhave të falsifikuara të tërhequra nga qarkullimi”, tha Ahmeti.

(Kosova Sot Online)