Shmanget mbyllja e qeverisë

  • A.P /
  • 03 dhjetor 2021 - 21:03
Shmanget mbyllja e qeverisë

Senati miratoi të enjten një projektligj mbi shpenzimet që shmang një mbyllje të pjesshme dhe financon qeverinë federale deri më 18 shkurt, pasi udhëheqësit e dy partive zbutën tensionet rreth vaksinimit të detyrueshëm. Projektligji pritet të nënshkruhet nga presidenti Joe Biden.

Më herët gjatë ditës, udhëheqësit e kongresit njoftuan se arritën një marrëveshje për të mbajtur qeverinë funksionale për 11 javë të tjera, kryesisht në nivelet aktuale të shpenzimeve, ndërsa shtuan 7 miliardë dollarë për të ndihmuar të evakuuarit nga Afganistani.

Pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi për miratimin e projektligjit, senatorët njoftuan për një marrëveshje që lejoi votimin e shpejtë.

“Më vjen mirë që në fund mbizotëruan ‘kokat më të ftohta’. Qeveria do të qëndrojë e hapur dhe falënderoj anëtarët e kësaj dhome që na larguan nga pragu i një mbylljeje të shmangshme, të panevojshme dhe të kushtueshme,” tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.

Senati e miratoi projektligjin me 69 vota për, ndërsa kundër ishin 28.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët e miratoi projektligjin me 221 vota kundrejt 212 sa ishin kundër. Udhëheqja republikane u bëri thirrje ligjvënësve të votojnë kundër. Vota e vetme republikane në mbështetje të projektligjit ishte ajo e përfaqësuesit nga Illinoi, Adam Kinzinger.

Projektligji u miratua një ditë para afatit të së premtes duke shmangur mbylljen e zyrave federale.

Mospajtimet rreth buxhetit kanë çuar shpesh në mbyllje të kushtueshme të qeverisë gjatë dy dekadave të fundit.

(Kosova Sot Online)