Ofroi shpërblim, ShBA-ja kap prindërit e adoleshentit që vrau katër nxënës në shkollë

  • S.A /
  • 04 December 2021 - 09:02
Ofroi shpërblim, ShBA-ja kap prindërit e adoleshentit që vrau katër nxënës në shkollë

Mediet amerikane kanë raportuar se janë arrestuar në Detroit prindërit e një adoleshenti që vrau katër persona në një shkollë.

James dhe Jennifer Crumbley akuzohen për injorimin e shenjave paralajmëruese para sulmit që e kreu i biri i tyre, shkruan BBC.

Ata janë akuzuar për vrasje të pavullnetshme, por nuk u paraqitën në gjykatë të premten.

Megjithatë, ata u gjetën më vonë, pasi një banor e pa veturën e tyre dhe e njoftuan policinë, thonë raportimet e medieve amerikane.

Autoritetet kishin ofruar shpërblim prej 10.000 dollarësh për ata që do të ofronin informata që do të çonin në kapjen e tyre.

I biri i prindërve të arrestuar, Ethan Crumbley, 15 vjeç, akuzohet se e ka përdorur armën e babait të tij për t’i qëlluar shokët e shoqet e klases në Michigan. Ai është deklaruar i pafajshëm.

Katër të vrarët ishin adoleshentë – një 14 vjeç, një 16 vjeç dhe dy 17 vjeç. Shtatë persona të tjerë mbetën të plagosur.

(Kosova Sot Online )