​Mehaj uron Shqipërinë në Ditën e Forcave të Armatosura: Sukseset tuaja janë edhe tonat!

  • E.K /
  • 04 December 2021 - 11:16
​Mehaj uron Shqipërinë në Ditën e Forcave të Armatosura: Sukseset tuaja janë edhe tonat!

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i ka dërguar letër homologut të tij shqiptar me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Mehaj thotë se mbrojtja dhe përdorimi i Forcave të Armatosura kanë qenë domosdoshmëri në sfidat e mëdha për mbijetesën e shtetit shqiptar.

Mehaj në letrën e tij ka thënë se e ardhmja e forcave të të dyja vendeve është natyrshëm i përcaktuar nga niveli i koordinimit dhe sinkronizimit të objektivave.

“E ardhmja e forcave e tona qoftë në procesin e integrimeve euroatlantike , qoftë në zhvillimin e avancimin e aftësive e kapaciteteve ushtarake, është natyrshëm i përcaktuar nga niveli i koordinimit dhe sinkronizimit të objektivave tanë. Qoftë në relacionet tona vëllazërore, qoftë në relacione ndërshtetërore , qoftë edhe në proceset rajonale të iniciativave e programeve rajonale të mbrojtjes dhe sigurisë. Prandaj, sukseset tuaja si gjithmonë jane edhe suksese tona. Suksese të përbashkëta që do të forcohen edhe më në misione të përbashkëta , përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë”, ka shkruar Mehaj.

Letra e plotë e Mehajt:

Letër-urimi për vëllezërit, Ministrin Peleshi dhe Gjeneral Begajn me rastin e 4 Dhjetorit -Ditën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë

I dashur vëlla, Ministër Peleshi

I dashur vëlla, Gjeneral Begaj,

Të dashur motra dhe vëllezër, ushtarake e ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë,

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, vendimi për themelimin e Ministrisë së Luftës dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, më 4 dhjetor 1912, është dhe mbetet një ndër datat dhe ngjarjet më të mëdha historike, jo vetëm për Shqipërinë Mëmë, por edhe për të gjithë shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj.

Në 30 vjetët që pasuan, pas rënies së Lidhjes së Prizrenit dhe shpërbërjes së forcave të saj ushtarake, shqiptarët nuk u ndalën në luftën e tyre për të siguruar autonominë dhe më pas pavarësinë e vendit.

Kryengritjet shqiptare që filluan në vitin 1908 u finalizuan me Shpalljen e Pavarësisë së vendit, më 28 Nëntor të vitit 1912., por padrejtësisht me mbi gjysmën e territoreve etnike shqiptare jashtë saj.

Vendimi i menjëhershëm i Qeverisë së Ismail Qemalit, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë, ishte domosdoshmëri në rrethanat e kohës.

Mbrojtja dhe përdorimi i Forcave të Armatosura kanë qenë domosdoshmëri në sfidat e mëdha për mbijetesën e shtetit shqiptar.

Për 109 vjet , Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, rrugëtuan me sfidat që shoqëruan realitetin kompleks historik dhe gjeopolitik të rajonit, kontinentit dhe Botës mbarë.

Sot, në realitetin e ri, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përmbushin detyrat e saj operacionale ushtarake, duke përfaqësuar vlerat më të larta kombëtare dhe shtetërore si vend anëtarë i NATO-s, në misione paqeruajtëse dhe stabilitetit anembanë Botës.

Kjo na ka bërë dhe na bënë nder dhe krenar të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

E ndjenjë të veçantë kemi ne, zyrtarët dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Bashkëpunimi ynë tani më, është në nivelet më të larta ndërministrore dhe ndërushtarake.

E ardhmja e forcave e tona qoftë në procesin e integrimeve euroatlantike , qoftë në zhvillimin e avancimin e aftësive e kapaciteteve ushtarake, është natyrshëm i përcaktuar nga niveli i koordinimit dhe sinkronizimit të objektivave tanë.

Qoftë në relacionet tona vëllazërore, qoftë në relacione ndërshtetërore , qoftë edhe në proceset rajonale të iniciativave e programeve rajonale të mbrojtjes dhe sigurisë.

Prandaj, sukseset tuaja si gjithmonë jane edhe suksese tona.

Suksese të përbashkëta që do të forcohen edhe më në misione të përbashkëta , përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë.

Urime Dita e Forcave të Armatosura me kujtimin dhe nderimin për të gjithë bijtë e bijat e kombit tonë që derdhën gjak e djersë për të mundësuar krijimin e shtetit, ushtrisë kombëtare shqiptare, si dhe ruajtur vazhdimësinë dhe forcimin e tyre për 109 vjet.

Urime Dita e e Forcave të Armatosura gjithë zyrtarëve e ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!

Vëllazërisht,

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

Armend Mehaj

(Kosova Sot Online)