Humbi 10 familjarë në aksidentin tragjik në Bullgari, Reuters rrëfen historinë e trishtë të shqiptarit

  • f.f /
  • 04 December 2021 - 16:18
Humbi 10 familjarë në aksidentin tragjik në Bullgari, Reuters rrëfen historinë e trishtë të shqiptarit

Qindra vajtues u mblodhën në varrezat e fshatit maqedonas në një shi të ftohtë të premten për të prehuar 10 banorë vendas, përfshirë tetë nxënës të shkollës, të cilët ishin midis 45 personave të vrarë në një aksident me autobus në Bullgari.

Autobusi, që transportonte turistë në Maqedoninë e Veriut pas një udhëtimi fundjave në Stamboll, mori flakë në një autostradë në orët e para të 23 nëntorit. Të gjitha viktimat janë identifikuar si shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Gabimi njerëzor ishte ndoshta shkaku kryesor i aksidentit, thanë hetuesit bullgarë.

Arkivolët e gjelbër me 10 viktima u ulën në tokë në varrezat e fshatit Morane – të katër fëmijët e Enver Jahit, gruaja e tij, kunata e tij dhe dy fëmijët e saj, dhe dy fëmijët e njërës prej motrave të Jahit – të gjithë nga Morane.

Arlinda Vlashi, mësuesja e Omer Jahit, 11 vjeç, i cili u varros pranë tre vëllezërve dhe motrave të tij dhe nënës së tyre, erdhi për të nderuar. “Si mund të shkoj në klasë tani kur nuk e shoh atë?”, tha ajo me lot.

“Unë isha mësuesja e re e Omerit kur ai filloi klasën e gjashtë (në shtator). Ai ishte një djalë shumë i mirë, shumë i mençur, shumë i sjellshëm dhe mësonte shpejt.”

Enver Jahi, i cili nuk shkoi në udhëtim për në Stamboll, sepse duhej të drejtonte restorantin e familjes, qëndronte duke qarë në shi, ndërsa varroseshin arkivolet, pasuar nga lutjet e imamit.

“Ky ishte një lajm shumë i keq për ne. Jo vetëm për mua por për të gjithë fshatin”, tha Nuredin Bajrami, një fqinj i familjes Jahi. “Ne i njihnim shumë mirë, kishin edhe një restorant dhe njerëzit i vizitonin shumë shpesh. Ata ishin njerëz shumë të mirë.”

Trupat e viktimave të tjera të aksidentit mbërritën me dy avionë ushtarakë bullgarë të premten pasdite në aeroportin e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkupit. Ata u varrosën në varreza të ndryshme në të gjithë vendin ballkanik gjatë pasdites.

(Kosova Sot Online)