Kurti flet për masat e reja Anti-COVID, përmend edhe rrezikun e përhapjes së COVID-19 nga diaspora

  • A.P /
  • 05 December 2021 - 14:30
Kurti flet për masat e reja Anti-COVID, përmend edhe rrezikun e përhapjes së COVID-19 nga diaspora

Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi po mbajnë një konferencë për media në lidhje me gjendjen me pandeminë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se ashtu si shtetet tjera, edhe Kosova po rrezikohet nga një valë e re e COVID-19.

Kurti tha se janë katër rreziqe që i kanosen Kosovës gjatë javëve të ardhshme, duke përfshirë këtu edhe ardhjen e bashkatdhetarëve.

“Festat e fundvitit shoqërohen me ardhjen e një pjese të mërgatës sonë, ky shtim i popullsisë bashkë me grumbullimet e shumta festive të fundvitit e rrit dukshëm mundësinë e ngjarjeve supers hpërndarës. Së dyti, situata epidemiologjike në Evropë vazhdon të jetë tejet e rëndë sidomos në disa vende ku jetojnë një numër i madh i mërgimtarëve. Shtimi i numrit të udhëtarëve e rrit mundësinë që gjendja epidemiologjike të jetë e ngjashme. Kosova ka shkall më të ulët të vaksinimit se këto vende evropiane. Dhe së katërti, ditëve të fundit është shfaqur në Afrikën e Jugut një variant i ri i virusit Corona, Omicron. Ky variant është përhapur në së paku 38 vende të botës”, ka thënë ai.

Kurti tha se duke u bazuar në situatën epidemiologjike, do të marrin edhe masa.

Ai u shpreh se nëse rreziku ndaj COVID-19 zbutet, ata do të zbusin masat për bashkatdhetarët.

“Si kryeministër nuk kam detyrë më të rëndësishme se sa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë me të gjitha mjetet që qeveria i ka në dispozicion. Për këtë arsye kemi marrë masa kufizuese edhe brenda vendit, duke marrë parasysh rreziqet. Jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhëna më të reja mbi të cilat ne do të përditësojmë masat sa herë të ketë nevojë konform situatës. Në momentin e parë që rreziqet zbuten dhe dalin të jenë më pak serioze, qeveria do të merr vendim për lehtësimin e masave kufizuese”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)