Çka nëse edhe Rusia e Kina emërojnë emisarë për Ballkanin? Përgjigjet Kurti

  • A.P /
  • 05 December 2021 - 15:49
Çka nëse edhe Rusia e Kina emërojnë emisarë për Ballkanin? Përgjigjet Kurti

Kryeministri Albin Kurti e ka komentuar mundësinë që shtete si Rusia dhe Kina të dërgojnë emisarë për Ballkanin Perëndimor, ashtu siç bëri së fundmi Britania e Madhe.

Kurti tha në një konferencë për media se Kosova ka nevojë për sa më shumë vëmendje nga fuqitë perëndimore.

“Ne kemi nevojë për sa më shumë vëmendje për sa më shumë vëmendje të aleatëve dhe parterëve tanë perëndimorë në rajonin tonë, meqenëse qartazi vëmendja, investimet dhe ndikimet te fqinji ynë veriorë i fuqive e superfuqive nga Lindja apo Veri-Lindja është rritur shumë në kohët e fundit”, tha Kurti.

Sipas tij, emisarët e mundshëm të Rusisë apo Kinës nuk do të kishin luajtur shumë rol në rajonin e Ballkanit.

“Unë nuk mendoj që emisarët e të tjerëve luajnë shumë rol, për shkak se ata tashmë kanë më shumë sesa emisarë te fqinji ynë verior, i cili dihet që në fund të muajit shtator, përveçse solli trupa ushtarake në kufirin me Kosovën, e solli edhe ambasadorin rus në Beograd që të vijë t’i inspektojë ato, ndërkohë që aeroplani luftarak i prodhimit rus u ngrit në ajër”, deklaroi kryeministri.

Ish-diplomati britanik dhe profesori në Universitetin e Cambridgeit, Timothy Less, tha sot se pas emërimit të të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga Britania e Madhe, Sir Stuart Peach, ai nuk do të habitej nëse “kjo do të hapte rrugën për emërimin e ndërkombëtarëve të tjerë, të dërguar nga Rusia, dhe ndoshta Turqia dhe Kina”.

Siç theksoi Less, Rusia, Turqia dhe Kina “nuk do t’i lejojnë kundërshtarët e tyre t’i formësojnë ngjarjet në Ballkan në mënyra që janë në kundërshtim me interesat e tyre kombëtare”.

(Kosova Sot Online)