“Aleatë të Qeverisë”, në AAK sqarojnë thirrjen publike që i bëri Haradinaj Kurtit

  • A.P /
  • 06 December 2021 - 16:48
“Aleatë të Qeverisë”, në AAK sqarojnë thirrjen publike që i bëri Haradinaj Kurtit

Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka folur pas deklaratës së Ramush Haradinaj se partia e tij është e gatshme të jetë aleate e kryeministrit Kurti në betejën politike me Serbinë. Ai ka treguar se ideja e Haradinajt nuk ka të bëjë me krijimin e ndonjë ekipi të unitetit, pasi sipas tij, përgjegjësinë e Dialogut me Serbinë e ka Qeveria. Por, thotë se janë aleatë të qeverisë në sfidat që i ka shteti karshi temave të hapura.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili prej kohësh ka krijuar raporte të tensionuara me kryeministrin Kurti, sot publikisht deklaroi se është i gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jenë aleat i Qeverisë dhe Kryeministrit, Albin Kurti, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit.

Por, sipas nënkryetarit të partisë së Haradinajt, Muharrem Nitaj, qëndrimi i kreut të AAK-së është i qartë, pra do të jenë aleatë të qeverisë në temat e hapura.

“Nuk është fjala këtu për kurrfarë ekipi të unitetit. Përgjegjësinë për zgjidhjen e temave të mëdha e ka qeveria dhe kryeministri. Ata i kanë kërkuar 50 plus për qind të votave për zgjidhjen e temave të mëdha dhe i kanë marrë. Qendrimi i zotit Haradinaj është i qartë. Kjo Qeveri duhet të përballet me sfidat që i ka Kosova që nënkupton zgjidhjen e krejt çështjeve të hapura e jo dorëzimin. Në këtë proces jemi aleatë të qeverisë. Por, po e përseris edhe njëherë, ky qëndrim nuk nënkupton krijim të kurrfarë grupi të unitetit. Përgjegjësinë e dialogut e ka kryeministri dhe qeveria”, tha Nitaj në një përgjigje me shkrim

Tutje, kreu i AAK-së ka deklaruar se Kosova ka nevojë për initet politik. Haradinaj thotë se ai dhe partia e tij janë të datshëm të jenë aleatë të Qeverisë, në betejën politike me Serbinë.

“Kosova sot, më shumë se kurrë ka nevojë për unitet politik, në mënyrë që njëzëri ta mbrojë interesin e vet. Unë dhe Partia ime si dhe Grupi Parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Kosova sot nuk e ka komoditetin e debateve as për tërheqje, as për dorëheqje e as për zgjedhje të reja. Qeveria e shumicës duhet t’i marrë përgjegjësitë e zgjidhjes së çështjeve të hapura. Për beteja të brendshme politike kurrë nuk është vonë”, ka shkruar Haradinaj. 

(Kosova Sot Online)