Dialogu i bllokuar, a do të përpiqet Borell ta përmbyll vitin me një takim Kurti -Vuçiq?

  • E.K /
  • 07 December 2021 - 12:35
Dialogu i bllokuar, a do të përpiqet Borell ta përmbyll vitin me një takim Kurti -Vuçiq?

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, gjatë muajit nëntor kishte deklaruar se e do një takim të nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, dhe kreut të shtetit serb, Aleksander Vuçiq, para Krishtlindjeve. Për këtë, Borell e kishte angazhuar emisarin e tij, Miroslav Lajcak, i cili fillimisht e takoi Kurtin në Austri, e më pas edhe realizoi vizita në Beograd e Prishtinë.

Megjithatë, përpjekja e sllovakut për të bindur Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel duket se ka dështuar.

Një gjë të tillë e ka lënë të nënkuptohet dje edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai ka deklaruar se as Kosova e as Serbia aktualisht nuk kanë gatishmëri për dialog.

“E kemi bërë shumë të qartë, pas dy takimeve këtë vit, që parakusht për takimin e radhës duhet të jetë gatishmëria e të dyja palëve që të dakordohen rreth rezultateve konkrete për të mirën e qytetarëve të tyre. Kontaktet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia e Përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak treguan që aktualisht nuk ka gatishmëri”, ka deklaruar Stano të hënën (6 dhjetor).

Por duket se Borell do ta ketë një mundësi shumë të mirë që për këtë të çështje të diskutojë drejtpërdrejtë me kryeministrin, Albin Kurti, të cilin e ka pritur sot në Bruksel.

Kurti, bashkë me disa prej ministrave të tij është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Bruksel në të cilën do të diskutohet për punën Marrëveshjes së Stabilizim Associmit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Borell më 1 dhjetor derisa fliste nga Riga në takimin e ministrave të jashtëm evropianë me NATO-n, kishte theksuar se Kosova e Serbia duhet të kthehen sa më parë në tavolinën e negociatave.

Ndërkohë burime të Radio Evropës së Lirë kanë thënë se Lajçak pas vizitave në Prishtinë dhe Beograd është kthyer krejtësisht i dekurajuar.

(Kosova Sot Online)