Në Bruksel u fol edhe për Vettingun në drejtësi, BE-ja s’do riformim të gjithë sistemit

  • E.K /
  • 07 December 2021 - 15:20
Në Bruksel u fol edhe për Vettingun në drejtësi, BE-ja s’do riformim të gjithë sistemit

Kryeministri Albin Kurti ka diskutuar sot me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian edhe për Vettingun në drejtësi. Këtë e konfirmoi komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili në konferencën e përbashkët për media me kryediplomatin Evropian, Josep Borrell dhe kryeministrin Kurti, tha se duhet të kuftohet se çfarë do të përfshihet në Vetting.

Varhelyi tha se ky proces duhet të ketë objektiva të qarta kur bëhet fjalë për disa çështje.

“Ne e kemi diskutuar edhe këtë çështje gjerësisht me kryeministrin, sepse mendoj se gjëja e parë është ta kuptojmë se çfarë përfshihet në Vetting, dhe me atë që kam kuptuar, në kuptimin e substancës, është që duhet të ketë objektiva të qartë, objektive pra, kur bëhet fjalë për konfliktin e interesit, çështjet private, e pastaj çështjet institucionale”, tha komisioneri evropian.

Ai tha se BE-ja nuk beson se Kosova ka nevojë për një riformim të gjithë sistemit, ndërsa përmendi shembullin e Shqipërisë, duke theksuar se një operacion aq i madh nuk është i domosdoshëm.

“Nuk besojmë që ka nevojë për një riformim të gjithë sistemit të Kosovës dhe nëse më pyesni mua, duke marrë parasysh shembullin e Shqipërisë, nuk e mendoj që një operacion aq i madh është i domosdoshëm sepse besoj që themelet, bazat e sistemit, janë në përputhje me standardet tona. Sigurisht jemi të gatshëm të ulemi dhe të shohim se çfarë përmirësimesh mund të bëhen dhe duhet të bëhen. Dhe qëndrojmë sot të hapur para kryeministrit për ta diskutuar krejtësisht dhe gjerësisht këtë temë”, deklaroi Varhelyi.

Ai tha se po bisedojnë me institucionet e Kosovës, të cilave tha se ua kanë bërë të qartë se “qëndrojmë për një gjyqësor që është i pavarur dhe që t’u ofrojë drejtësi të gjithëve”. Ai përmendi se BE-ja ka investuar politikisht dhe financiarisht për ta krijuar një sistem gjyqësor që lufton për drejtësi.

(Kosova Sot Online)