Shënohet rekord i vdekjeve nga alkooli gjatë pandemisë

  • A.P /
  • 07 December 2021 - 16:03
Shënohet rekord i vdekjeve nga alkooli gjatë pandemisë

Britania e Madhe regjistroi rritje rekorde të numrit të vdekjeve të shkaktuara nga keqpërdorimi i alkoolit vitin e kaluar. Zyrtarët e shëndetit publik thanë se kjo rritje është e lidhur me ndikimin më të gjerë social të pandemisë.

8.974 persona raportohet të kenë vdekur nga shkaqet e lidhura me alkoolin vitin e kaluar në Britani të Madhe, 18.6 për qind më shumë se në vitin 2019. Kjo është rritja më e madhe e shifrës që nga fillimi i mbajtjes së kësaj statistike më 2001, tha Zyra për Statistika Kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar.

Të dhënat e mëhershme nga autoritetet shëndetësore në Angli kanë shfaqur rritje prej 21 për qind të numrit të vdekjeve nga sëmundja alkoolike e mëlçisë vitin e kaluar, kur pandemia i mbylli pijetoret, por ndikoi që konsumuesit e mëdhenj të pinin më shumë alkool në shtëpi, shkruan Reuters.

“Fakti që shkalla e vdekshmërisë nga shkaktarët kyçë të vdekjeve të lidhura me alkoolin janë rritur më 2020 sugjeron se rritja e dëmit nga alkooli është ndikim më i gjerë i pandemisë”, tha Zyra për Përmirësim Shëndetësor dhe Pabarazi.

Sasia e përgjithshme e alkoolit të shitur në Britani vitin e kaluar shënoi rënie të vogël, por një anketë e marsit të këtij viti shfaqi rritje të numrit të njerëzve që kanë pranuar se kanë pirë sasi që zyrtarët shëndetësorë e cilësojnë të rrezikshme – të barabartë me pesë shishe verë në javë për burrat ose me tri shishe e gjysmë për gratë.

Sëmundja e mëlçisë ishte shkaktarja kryesore e vdekjeve të lidhura me alkoolin me 78 për qind të rasteve. Pas saj vijnë çrregullimet mendore dhe të sjelljes me 12 për qind. Shkalla e vdekjeve në Skoci dhe Irlandë Veriore ishte për rreth 50 për qind më e lartë se në Angli ose në Uells.

(Kosova Sot Online)