“Fusnota është tradhti ndaj Kosovës”, deklaratat që po e ndjekin Kurtin si hije nga pas

  • A.P /
  • 07 December 2021 - 17:17
“Fusnota është tradhti ndaj Kosovës”, deklaratat që po e ndjekin Kurtin si hije nga pas

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar që të ulet sot në një tavolinë në Bruksel ku përpara tij, në një tabelë të bardhë, shkruhej me të zezë emri i Kosovës me fusnotë. Kjo gjë ka nxitur edhe reagime e raportime në media, meqë para 9 vjetësh, vetë Kurti si opozitar e kishte konsideruar fusnotën si tradhti ndaj shtetit të Kosovës që kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Kurti thoshte se fusnota e ka kthyer Kosovën në negociatat e Vjenës dhe paraqet tradhti ndaj shtetit të Kosovës.

 “Marrëveshja në Bruksel me Serbinë për pikat kufitare që u degraduan në pika kaluese dhe për fusnotën që realisht nga kthen  te negociatat e Vjenës të vitit 2006, paraqesin tradhti ndaj shtetit të Kosovës, që e keni shpallur pavarur mu në këtë sallë para më shumë se katër vjetësh. Kjo tradhti ndaj shtetit të Kosovës prej Qeverisë dhe kryeministrit e ka trimëruar dhe inkurajuar Serbinë që të tregojë se Kosova s’ka as kufij e as Mitrovicë”, kishte deklaruar Kurti para 9 vjetësh.

Rikthimi në vëmendje i asaj se çfarë kishte thënë Kurti para 9 vjetësh për punën e fusnotës dhe ballafaqimi me atë se çfarë ka vepruar sot në Bruksel, duket se i ka penguar zyrtarit për Media të LVV’së, Arlind Manxhuka.

Albin Kurti sot në Bruksel

“Pra, Lëvizja VETËVENDOSJE! që ishte kundër kësaj marrëveshje dhe se koha e dëshmoi se ajo nuk është fluskë bore duan t’ja hedhin koston vetëm pse e kemi kundërshtuar, pra nuk e shikojnë fusnotën në raport me Republikën, por vec në raport me VV-në.  Pasojat që i kanë lënë Kurtit nuk janë përgjegjësi e tij, përkundrazi qeveria aktuale po bën përpjekje për të dalë nga logjika e fusnotës.Po të ishte VV që nga ajo kohë në pushtet nuk do të kishte as fusnotë e as marrëveshje që flasin për rregullim të brendshëm. Duhet parë cka thoshte ky portal e të tjerë në protestën tonë që kishim ndaj kësaj marrëveshje”, ka shkruar Manxhuka.

Kurti më herët është kritikuar edhe nga Partia Socialdemokrate, pasi kishte pranuar të ulej në një tyrezë me Aleksander Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia për krimet e kryera në Kosovë.

Kreu i kësaj partie, ish-bashkëpuntori i Kurtit, Dardan Molliqaj, duke ironizuar, thoshte se takimi i Kurtit me Vuçiqin pa kërkuar falje është lajm i rrejshëm.

“Jemi këtu për ta luftuar dezinformimin. Fotoja që po e shihni këtu është montazh. Një takim i tillë nuk ka ndodhur kurrë. Një takim i tillë nuk do të ndodhë pa e njohur Serbia Republikën tonë; një takim i tillë nuk bëhet pa ardhur kërkim- falja nga Serbia, e pa u zbardhur fati i të pagjeturve.Kryeministri ynë ka thënë kështu, s’ka si të jetë ndryshe. Eksponentë dashakëqinj nga mediat e partitë politike po duan ta njollosin figurën kristal të kryeministrin tonë. Ata duan t’i pengojnë e t’i fshehin të arriturat tona kolosale.Qytetarë të dashur, ju duhet të keni kujdes. Bota është e mbushur plot kurthe, gënjeshtra dhe armiq. Gjërat që i shihni, nuk i shihni në tërësinë e tyre; ato që i dëgjoni nuk u’a kuptoni prapaskenat. Prandaj duhet ta ndjekim linjën: të shohim me syrin e Partisë e ta dëgjojmë fjalën e saj. Ekziston çfarë thotë Partia: dëgjoj Partinë, prandaj jam.Sy e veshë i kemi vigjilencë për Partinë. Ne tregojmë, ajo na udhëzon. Ajo i sheh të gjitha falë besnikërisë tonë.

(Kosova Sot Online)