Ish-drejtori i Policisë: Kurrë nuk e kemi pyetur KFOR-in për aksionet në Veri

  • E.K /
  • 08 December 2021 - 12:52
Ish-drejtori i Policisë: Kurrë nuk e kemi pyetur KFOR-in për aksionet në Veri

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se asnjëherë nuk kanë marrë leje nga KFOR-i për të zhvilluar aksione kudo në territor të Kosovës, qoftë edhe në Veri.

Qalaj tha se sa ishte në krye të Policisë, pjesëtarët e KFOR-it vetëm janë njoftuar se do të kryhet një operacion.

Më tutje, ai deklaroi se PK-ja asokohe s’ka marrë leje as nga Bashkimi Evropian për këto aksione.

“Policia e Kosovës gjithmonë bën plane operative për implementimin e urdhëresave varësisht për cilën fushë është. Ne kemi pasur disa operacione së paku sa kam qenë unë drejtor për zbatimin e ligjit, urdhëresave të gjykatave dhe nuk kemi pas asnjëherë që absolutisht që ta pyesim askënd. …Mirëpo kur kemi filluar me operacion i kemi njoftuar sidomos pjesëtarët e KFOR-it, vetëm që të jenë në njohuri që është duke u kryer një operacion. Po e përsërisë Policia e Kosovës kurrë nuk e pyet as KFOR-in as atëherë e besoj as tash e as Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë ditës ka thënë se asnjë marrëveshje në dialog s’ia ndalon Policisë së Kosovës vendosjen kudo në territorin shtetëror.

Ai në disa përgjigje ka folur edhe për zhvillimet e muajve më parë në veri të Kosovës, duke potencuar se asnjë marrëveshje dialogu s’ia ndalon Policisë së Kosovës vendosjen kudo në territorin shtetëror.

Megjithatë për pjesën veriore thotë se ka njëfarë tradite njoftimi.

“Nuk ka asnjë marrëveshje në dialog që pengon vendosjen e njësive speciale policore nga jugu në veri, por që është një praktikë e zakonshme koordinimi i ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare si dhe njoftimi paraprak i KFOR-it”, tha ai.

(Kosova Sot Online)