Çollaku, njëri nga negociatorët e Asociacionit: BE-ja garanton që s’ka kompetenca ekzekutive

  • A.P /
  • 08 dhjetor 2021 - 15:52
Çollaku, njëri nga negociatorët e Asociacionit: BE-ja garanton që s’ka kompetenca ekzekutive

Bekim Çollaku, ish-ministër i Integrimit Evropian dhe ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi deklaroi se kryeministri Albin Kurti duhet të ndryshojë strategji në mënyrë që Kosova të përfitojë në kuadër të dialogut me Serbinë. Ai beson se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet dhe se kjo nuk do të thoshte krijim i një Republika Srpska-s brenda Kosovës.

Qeveria e Kosovës, sipas Çollakut e ka në duar një letër garancie nga ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, se Asociacioni nuk do të kishte kompetenca ekzekutive, shkruan Gazeta Express.

Përveç kësaj garance, Çollaku tha se “duke qenë njëri nga negociatorët e këtyre marrëveshjeve, përfshirë Asociacionin”,atëherë ishin përkujdesur që draft-statuti i Asociacionit të kalonte nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese.

“Gjëja kryesore që e kemi bërë atëherë është se kurdo që të hartohet draft-statuti i këtij asociacioni, i njëjti duhet të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese që të trajtohet nëse është në përputhje me Kushtetutën. Kjo është garanca më e lartë që kemi. Përveç kësaj, ne kemi marrë qysh atëherë edhe një letër garantuese nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, zonja Mogherini – që udhëhiqte atëherë me procesin – që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, deklaroi Çollaku.

Ish-këshilltari i Thaçit tha se Bashkimi Evropian e di se Asociacioni nuk do të ishte një Republika Srpska, dhe prandaj, sipas tij, kërkon që ai të themelohet.

“Këto janë dy garancat që ne i kemi në dorë dhe që i ka në dorë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Z. Kurti, prandaj nuk ka asnjë lloj frike që ky asociacion mund të shndërrohet në një Republika Srpska apo se këtij asociacioni mund t’i japin kompetenca ekzekutive, sepse dekretin për themelimin e këtij Asociacioni e jep Qeveria e Kosovës dhe jo Qeveria e Serbisë. Prandaj po them që pikërisht duke e ditur këtë gjë, edhe Bashkimi Evropian insiston në themelimin e tij, sepse BE-ja e di se Asociacioni nuk do të jetë një Republika Srpska dhe e di se Asociacioni nuk do të jetë asgjë më tepër sesa një organizatë joqeveritare, ashtu siç e parashikon vetë marrëveshja”, thotë Çollaku.

Ai tha se diskursi i kryeministrit Kurti duhet të ndryshojë. Çollaku konsideron se diskursi aktual i Kurtit nuk do t’i sjellë asgjë të mirë Kosovës.

“Ajo çfarë pamë dje më tepër ishte një shfaqje e e bërë nga ana e kryeministrit të Republikës së Kosovës për konsum të brendshëm natyrisht, dhe kjo nënkupton që kryeministri Kurti nuk po e ndryshon diskursin e tij populist as kur është në pyetje politika e jashtme e Kosovës dhe fatkeqësisht kjo është një gjë shqetësuese sepse nuk do t’i sjellë Kosovës asgjë të mirë, përveçse mund ta thellojë edhe më tutje izolimin e rëndë në të cilin ndodhemi sot”, tha Çollaku për Euronews Albania.

Ai foli gjatë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që për të nuk do të ishte asgjë më shumë sesa një organizatë joqeveritare. Sipas ish-këshilltarit të Thaçit, mosformimi i Asociacionit nuk arsyetohet.

“Marrëveshja e arritur në prill të vitit 2013 është një marrëveshje ndërkombëtare e cila është ratifikuar në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe të gjitha obligimet që dalin nga ajo marrëveshje janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga cilado qeveri që është në pushtet në Republikën e Kosovës, sepse Kosova duhet të sillet si një partner serioz ndërkombëtar dhe obligimet ndërkombëtare që i merr përsipër duhet t’i zbatojë, pavarësisht a është në qeveri z. Kurti sot apo dikush tjetër nesër. Kushtu që ky nuk është një arsyetim absolut sa i përket moszbatimit të marrëveshjes lidhur me Asociacionin”, tha ai.

Çollaku shprehet i bindur se Asociacioni do të mund të themelohej duke ruajtur frymën kushtetuese të shtetit.

“Fundja, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës përcakton një gjë të tillë shumë qartë. Thotë se Asociacioni mund të themelohet, por gjithmonë duke e ruajtur frymën kushtetuese. Prandaj, unë refuzimin e Qeverisë Kurti për zbatimin e Asociacionit më tepër e shoh nga perspektiva populiste dhe qasja e tij populiste në raport me elektoratin e Kosovës, sesa një interes shtetëror të Republikës së Kosovës, spese Asociacioni i tillë siç është menduar të themelohet nuk paraqet asgjë tjetër përveçse një organizatë joqeveritare e cila do të ketë funksionin e njëjtë siç e ka asosacioni ekzistues i komunave të Republikës së Kosovës”, deklaroi Çollaku.

Status-quo-ja, sipas Çollakut i konvenon vetëm Serbisë dhe se Kosova në këtë gjendje nuk do të mund ta përmbyllte procesin e shtetndërtimit.

“Kosovës nuk i konvenon status-quo-ja. Në anën tjetër, Serbisë i konvenon status-quo-ja, sepse Serbia nuk do të bëhet nesër anëtare e Bashkimit Evropian. Status-quo-ja e dëmton Kosovën sepse ne nuk po arrijmë ta përmbyllim procesin e shtetndërtimit. Nuk jemi anëtarë të Kombeve të Bashkuara dhe të gjithë ata që marrin vesh nga ky proces e dinë se gjithë arsyeja se pse ky dialog ka filluar është që Kosova ta përmbyllte procesin e shtetndërtimit duke marrë ulësen në OKB”, tha ai.

Çollaku e konsideron fatkeqësi që Qeveria aktuale “ka ardhur në pushtet me shumë paradigma populiste të cilat fatkeqësisht nuk po i ndryshon edhe më tutje”.

“Nga perspektiva e Be-së, Kosova do të konsiderohet si faktor bllokues në përparim sa i përket procesit të normalizimit të marrëdhënieve”, thekson ai.

Kryeministri Albin Kurti dhe kryediplomati evropian, Josep Borrell janë përplasur lidhur me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Kurti në konferencën e përbashkët me Borellin, ku pati pakëz tension, tha se Asociacioni është në shërbim të Beogradit teksa Borell tha se s’pajtohet me Kurtin që Gjykata Kushtetuese nuk e mundëson zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.


(Kosova Sot Online)