Importi i energjisë elektrike gjatë muajit nëntor ka kushtuar rreth 10 milionë euro

  • A.P /
  • 08 December 2021 - 17:06
Importi i energjisë elektrike gjatë muajit nëntor ka kushtuar rreth 10 milionë euro

Kostoja e energjisë elektrike është rritur për shkak të rritjes së çmimeve të saj në tregun ndërkombëtar përtej çdo parashikimi. Ato kanë prekur edhe vendet më të zhvilluara të Evropës. Ballafaqimi me çmimet e larta të importit të energjisë elektrike duhet të bëjë që secili nga ne të reflektojmë përballë kësaj krize. E gjithë kjo në mënyrë që efekti negativ i tyre të ndihet sa më pak tek në të ardhmen.

Thirrjet tona për kursim po bëhen me qëllim që t’u lehtësohet barra financiare konsumatorëve tanë në faturat mujore në këtë periudhë, por edhe në të ardhmen. Në anën tjetër, tani që sfida e sigurimit të importit me çmime të larta po bëhet edhe më e madhe për KEDS-in dhe KESCO-n, thirrja për kursim dhe përkrahja e konsumatorëve së bashku me mbështetjen e institucioneve është e domosdoshme.

Dihet se për plotësimin e kërkesës për energji elektrike, importi i energjisë elektrike në orë të caktuara ka qenë gjithmonë i pashmangshëm, por në krahasim me vitin e kaluar, kur çmimi i importit të energjisë elektrike për muajin nëntor ka qenë 2.3 milionë €, këtë vit kjo shumë ka shënuar rritje deri në 10 milionë €.

Rritja e shpejtë e çmimeve të importit në këtë nivel ishte e paparashikueshme nga të gjithë politik-bërësit. Kjo shumë e lartë as për së afërmi nuk është paraparë nga askush, brenda dhe jashtë kufijve, dhe ka ardhur si pasojë e shumë faktorëve, kontrolli i të cilëve është jashtë vullnetit dhe ndikimit tonë.

Me rënien e temperaturave nën zero, kërkesa do të jetë edhe më e madhe për import të energjisë. Nëse e shohim edhe nga ana tjetër, trendet e çmimeve sidomos në kohë të pikut, janë duke u rritur. Prandaj, që sistemi të jetë në gjendje të përballojë ngarkesat nga faktorë të shumtë, qofshin ato për shkak të çmimeve të papërballueshme, ose nga konsumi i lartë i energjisë elektrike, kërkohet vëmendja dhe bashkëpunimi i të gjithëve.


(Kosova Sot Online)