Presidentja Osmani reagon pas sanksioneve të SHBA’së për kokat e krimit në veri të Kosovës

  • A.P /
  • 08 December 2021 - 17:57
Presidentja Osmani reagon pas sanksioneve të SHBA’së për kokat e krimit në veri të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pasi nga SHBA-ja kanë ardhur sanksione për disa nga krerët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Osmani ka thënë se i mirëpret sanksionet ndaj Zvonko Veselinoviqin dhe grupit të tij kriminal.

“I mirëpres sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Veselinoviqit dhe grupit të tij transnacional të krimit të organizuar nga veriu i Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me SHBA-në për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, shkruan presidentja në Twitter.

Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja i ka goditur rrjetet e korrupsionit në disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në komunikatën e kësaj zyre, ndër të tjera thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontrollë të disa bisneseve në disa rajone.

(Kosova Sot Online)