“Ata shkaktojnë gjithmonë telashe”, Ish-drejtori i Policisë flet për banditët serbë që i sanksionoi Amerika

  • A.P /
  • 08 dhjetor 2021 - 20:03
“Ata shkaktojnë gjithmonë telashe”, Ish-drejtori i Policisë flet për banditët serbë që i sanksionoi Amerika

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur sanksione krerëve të organizatave kriminale serbe në veri të Kosovës, si Milan Radojiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe të tjerëve.

Përpos të lartëcekurve, në listën të zezë nga Amerika janë futur edhe anëtarët e bandës së tyre.

“Zvonko Veselinovic (Veselinovic), udhëheqësi i Grupit të Krimit të Organizuar Zvonko Veselinovic (OCG), është një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës. OCG e Veselinovic është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të grupit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët. Nga fundi i vitit 2017, Veselinovic dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinovic (Zharko) kishin marrëveshje me politikanët për të ndihmuar partinë e tyre të fitojë zgjedhjet, të sigurojë fitore politike për kandidatët e tyre dhe të kontribuojë me shuma të mëdha parash për kandidatët”, thuhet në njoftim.

Si rezultat i këtyre veprimeve të sotme, të gjitha pronat dhe interesat në pronë të përsonave të mësipërm që janë në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim ose kontroll të personave amerikanë janë bllokuar dhe duhet të raportohen.

Po ashtu, bllokohet edhe çdo objekt që zotërohet, drejtpërdrejt ose tërthorazi, 50 përqind ose më shumë nga një ose me shumë persona të bllokuar.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj i cili e ka cilësuar si lajm të mirë vendosjen e sanksioneve për Radojiçiq dhe të tjerë.

Sipas tij e gjithë kjo ka për qëllim të ndihmohet sundimi i ligjit në vend, pasi që dihet se këta të fundit janë destabilizues të rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

“Tash po informohem sepse s’kam pas mundësi të informohem, por nëse kjo është e vërtetë unë mendoj se është e qëlluar dhe ka për qëllim të ndihmojë sundimin e ligjit në vend pasi dihet se këta janë destabilizues të rendit në atë pjesë”, tha Qalaj.

Ai poashtu deklaroi se pikërisht janë grupe të tilla të kriminalizuara që udhëhiqen nga drejtuesit e Listës Serbe, e që sjellin vetëm destabilizim.

“Ata janë përcaktuar si destabilizues me disa figura politike në veri, e janë njerëzit që çdoherë organizojnë grupe që gjithmonë organizojnë telashe shkaktojnë probleme tek qytetarët në veri. Edhe para popullatës i deligjitimon pasi nuk janë përfaqësues, por janë njerëz që merren me aktivitete kriminale por mendoj se është një sinjal i qartë për stabilizimin e gjendjes në veri”, tha ai.

I pyetur nëse këto zhvillime do të mund të ndikojnë në rrjedhshmërinë e dialogut Kosovë-Serbi, apo në situatën e përgjithshme të krijuar në Ballkan, Qalaj tha se padyshim se do të ndikojë.

“Sigurisht se do të ndikojë në dialog, pasi besoj se do të kontribuojë edhe në dialogun në Bruksel por edhe në qetësimin e situatës në Ballkan”, shtoi ai.

Ndryshe përpos Radojiçq-it dhe Veselinoviq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur në listë të zezë edhe anëtarët e tjerë të bandës serbe që vepronte vazhdimisht në veri të Kosovës dhe më gjerë.

Të gjithë emrat e serbëve të cilët janë futur në këtë listë janë: Milan Radojiçiq, Zvonko Veselinoviq, Zeljko Bojic, Marko Rosic,Andrija Zheljko, Bojic Srdjan Milivoje Vulovic, Milan Mihajlovic, Miljan Radisavljevic (Miljan), Miljojko Radisavljevic (Miljojko), Radovan Radic (Radic), Sinisa Nedeljkovic (Nedeljkovic), Radule Stevic (Stevic).

Lidhur me lajmin për sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj këtyre serbëve ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka përshëndetur vendimin duke thënë se institucionet e  Kosovës janë plotësisht të përkushtuara për sundimin e ligjit dhe do të bashkëpunojnë me SHBA-të për të siguruar që “rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”.

Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka bërë të ditur se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontroll të disa bizneseve në disa rajone.

(Kosova Sot Online)