Biden thotë se SHBA nuk do të vendosë trupa në terren edhe nëse Rusia pushton Ukrainën

  • A.P /
  • 08 December 2021 - 20:04
Biden thotë se SHBA nuk do të vendosë trupa në terren edhe nëse Rusia pushton Ukrainën

Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se SHBA-ja nuk do të jetë e detyruar të dërgojë trupa për të mbrojtur Ukrainën kundër Rusisë, sepse e para ajo nuk është anëtare e NATO-s

“Ideja se SHBA-ja do të përdorë forcën në mënyrë të njëanshme për t’u përballur me pushtimin e Rusisë në Ukrainë nuk është në skenë tani”, u tha Biden gazetarëve. “Ne kemi një detyrim moral dhe një detyrim ligjor ndaj aleatëve tanë të NATO-s sipas Nenit 5. Është një detyrim i shenjtë. Ky detyrim nuk shtrihet në … Ukrainë.”, shkruan Bussines Insider

Neni 5 i kartës së NATO-s – parimi i mbrojtjes kolektive që mbështet aleancën – thotë se një sulm ndaj një anëtari të aleancës është një sulm ndaj të gjithëve. Është thirrur vetëm një herë në historinë e aleancës, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA.

Biden tha se i bëri të qartë presidentit rus Vladimir Putin se nëse ai pushton Ukrainën do të ketë “pasoja ekonomike si ato që ai nuk i ka parë ndonjëherë ose nuk janë parë ndonjëherë kudo”.

Presidenti tha gjithashtu se një pushtim rus ka të ngjarë që të detyrojë SHBA-në të “përforcojë praninë në vendet e NATO-s për të siguruar veçanërisht ata në krahun lindor”.

“Përveç kësaj, unë e bëra të qartë se ne do t’u ofrojmë kapacitete mbrojtëse edhe ukrainasve”, tha Biden.

Ukraina ka partneritet me NATO-n, veçanërisht pas kapjes së Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Shumë vende të NATO-s kufizojnë Ukrainën në perëndim dhe në jug të saj, duke përfshirë Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Rumaninë.

Biden dhe Putin folën të martën në mes të tensioneve në rritje rreth Ukrainës. Rusia ka vendosur dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të Ukrainës, duke shkaktuar frikën e një inkursioni ushtarak.

Ukraina ka qenë në qendër të tensioneve gjeopolitike midis Moskës dhe Perëndimit për vite me radhë.

(Kosova Sot Online)