Ramush Haradinaj iu gëzua lajmit nga Amerika, por para 3 vitesh e kishte pritur në zyrë Milan Radojqiqin

  • A.P /
  • 08 December 2021 - 21:18
Ramush Haradinaj iu gëzua lajmit nga Amerika, por para 3 vitesh e kishte pritur në zyrë Milan Radojqiqin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si të shkëlqyeshëm vendimin e ShBA-së për vënie të sanksioneve kundër grupeve të organizuara kriminale në Kosovë. Mirëpo ai vetë sa ishte kryeministër i Kosovës e kishte pritur Radojqiqin në zyrën e tij para tri viteve.

“Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksionimin e krerëve të krimit të organizuar në Kosovë është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, ShBA-ja dhe Kosova janë të përkushtuar për sundimin e ligjit dhe kjo është një përpjekje e përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Vendimi do të ndihmojë misionin tonë të përbashkët për të goditur krimin transnacional në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Haradinaj.

Mirëpo Haradinaj e kishte pritur Radojqiqin në zyrën e tij tre vite më parë, në kohën kur ky i pari ishte kryeministër. Atëherë Radojqiq ishte në zyrën e Haradinajt së bashku me kreun e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Në komunikatën e lëshuar para tri viteve për këtë takim, ishte thënë se “është diskutuar në përgjithësi për situatën në Kosovë me një theks të veçantë për aspektet e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”.

Për takimin në fjalë Haradinaj kishte marrë kritika nga opozita e atëhershme. 

(Kosova Sot Online)