“Jepja atij që del në televizor”, dëshmitarja zbulon se çfarë i tha personi që kishte sjellë dokumentet në OVL-UÇK

  • E.K /
  • 09 December 2021 - 12:39
“Jepja atij që del në televizor”, dëshmitarja zbulon se çfarë i tha personi që kishte sjellë dokumentet në OVL-UÇK

Asistentja teknike-recespionistja në zyrën e Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) në Prishtinë, Taibe Miftari e cila po dëshmon të enjten në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ka thënë se pasi që personi i panjohur kishte sjellë pakon, i kishte thënë asaj “jepja atij që del në televizor”.

Dëshmitarja Miftari tha se me këtë ajo kishte nënkuptuar që fjala ishte për Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin apo Faton Klinakun, pasi që ata kishin paraqitje në televizor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është edhe Fatoni që folë nëpër medie, kështu që kanë mundur me qenë shefat Hysni Gucati, Nasim Hardinaj ose Faton Klinaku, nuk mundem me ditë për cilin person e ka pasur fjalën”, tha ajo.

E pyetur nëse e njëjta kishte pasur njohuri se më 6, 17 dhe 21 shtator do të silleshin dokumente në zyrat e OVL-UÇK, Miftari e mohoi një gjë të tillë.

Ajo tha se kishte qenë në zyrën e saj kur ishin sjellë këto dokumente dhe e njëjta kishte dalluar nga pamja fizike se në tri dërgesat kishin qenë persona të ndryshëm, por që nuk ka mundur t’i identifikojë pasi që të njëjtit kishin qenë të maskuar me syze, kapelë dhe dorëza.

Miftari deklaroi se kishte pyetur personat se kush ishin, por që të njëjtit ishin larguar duke mos u përgjigjur.

Mirëpo, personi që kishte sjellë dërgesën më 22 shtator, ajo tha se i njëjti i kishte bërtitur duke i thënë “mos më pengo, mos më pengo”.

“Mënyrën qysh ka bërtit më ka tremb, i mbaj mend vetëm këto dy fjalë mos më pengo, mos më pengo. Ai ka ndenjur në korridor d.m.th. ka qenë po ka folë me zë të lartë e për çka  kanë dëgju edhe tjerët që janë kanë në zyre”, tha ajo.

Ndërsa tha se nuk kishte dijeni nëse më 7 shtator personi që kishte sjellë dërgesën t’i kishte parë Gucatin dhe Haradinajn dhe se këta dy të fundit atë e kishin parë pastaj përmes xhirimeve të kamerave të sigurisë.

Tutje, Miftari deklaroi se nuk kishte dijeni se çfarë përmbanin ato dokumente sepse të njëjtat pasi që ishin sjellë, ishin dërguar pastaj në zyrën e Gucatit.

“Në momentin që kanë ardhë dokumentet kanë shkuar në zyrën e shefit Hysni Gucati, aty nuk kemi hyrë dhe nuk na lejohet me hy në qoftë se nuk kemi punë”, tha ajo.

Pas sjelljes së parë të dërgesës, Miftari tha se Klinaku i cili ishte sekretar në atë kohë, i kishte thënë se ishte marrë vendim nga kryesia që nuk duhet të bënte asgjë nëse do të silleshin dokumente të tjera.

“Ai tha kujdesu për shëndetin tënd edhe rri e qetë në qoftë se ndodh me ardhë përsëri diçka”, tha ajo.

Lidhur me konferencat e zhvilluara në zyrat e OVL-UÇK, ajo tha se nuk kishte qenë e pranishme  në asnjërën prej tyre dhe se nuk kishte të bënte asgjë me të njëjtat.

E pyetur nga gjykatësi Christoph Barthe, nëse e njëjta ishte përgjegjëse për llogarinë  e OVL-UÇK-së në rrjetin “Facebook”, Miftari e mohoi një gjë të tillë.

Gjithashtu e njëjta deklaroi se nuk kishte autorizim të qasej në profilin personal të Gucatiti dhe se sipas saj atë e menaxhon vet Gucati si dhe një punëtor tjetër teknik, i cili është i afërm i Gucatit dhe atë e përdor me autorizimin e  tij.

Tutje, ajo tha se nuk ishte e sigurt dhe nuk e mbante në mend nëse personat në herën e dytë dhe  të tretë i kishin thënë se do të sjellin dokumente dhe CD.

“Me aq sa e di nuk e mbaj mend për shkak se ka bërtit shumë keq më ka shkaktuar stres dhe nuk më kujtohet”, tha ajo.

Seanca është duke vazhduar me dëshmitaren e radhës, Elmedina Ballazhi./Betimi për Drejtësi

(Kosova Sot Online)