Kompania e njeriut të Veselinoviqit fitoi afro 200 tenderë për pesë vite në Kosovë

  • A.P /
  • 09 December 2021 - 20:30
Kompania e njeriut të Veselinoviqit fitoi afro 200 tenderë për pesë vite në Kosovë

Komunat e pjesës veriore të Republikës së Kosovës me shumicë serbe nuk kanë buxhet të madh. Por, nga koha kur kanë filluar të respektojnë kriteret e prokurimit sipas ligjeve të Kosovës, thuajse i gjithë buxheti që është i dedikuar për infrastrukturë po shkon tek vetëm një person.

Kompanitë “RAD” të Radule Steviq nga Komuna e Zveçanit, janë dy firmat më të suksesshme në përfitimin e tenderëve publik në komunat veriore të Kosovës.

E pikërisht pronari i kompanive P.T.P. “RAD” dhe “RAD” D.O.O, Radulle Steviq është një ndër personat që u futën në listën e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“RAD D.O.O.”, është hapur më 1 shkurt 2018, ndërsa, P.T.P. ” RAD ” më 4 prill 2013, shkruan lajmi.net.

 

Këto dy kompani, në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe atë të Zveçanit po i marrin të gjithë tenderët për rregullimin e infrastrukturës lokale.

Lajmi.net ka arritur të evidentojë se në katër komunat me shumicë serbe, nga korriku i vitit 2015 e deri më tash, Radule Steviq i ka fituar 185 tenderë.

Ndonëse, numri i tenderëve është shumë i madh dhe përbën një rast të rrallë në prokurimin publik, shuma e parave të fituara nga to është mbi 20 milionë euro.

29 kontrata, në vlerë prej 1.7 milionë euro i ka fituar vetëm në vitin 2019, si konzercium RAD D.O.O. & Radule Stevic B.I.

Projektet kanë të bëjnë me projekte infrastrukturore në komunat në veri, ndërtimin e banesave sociale, i çerdheve, renovimn e shkollave, furnizimi me pajisje të teknologjisë informative, furnizimi me materiale ndërtimore, furnizimi me mobilie, etj.

Kujtojmë se kompania PTP “RAD” nga Zveçani ka qenë fituese e tenderit për ndërtimin e murit në veri të Mitrovicës, i cili ishte bërë mollë sherri në mes të Prishtinës zyrtare dhe Beogradit.

Në kohën e ndërtimit të këtij muri, përflitej se pronari i kompanisë “RAD” është njeri i afërt me Marko Gjuriqin dhe Beogradin zyrtar, dhe se ai po i kryen të gjitha punët ndërtimore që lidhen me direktivat e Beogradit në veri.

AKK rekomandoi mos t’i jepen tenderët kompanisë “RAD”

Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë, para tri viteve kishte rekomanduar që kompanisë PTP “RAD” nga Zveçani të mos i jepeshin tenderë nga buxheti i Kosovës, me arsyetimin se ajo asnjëherë nuk kishte kontribuar në këtë buxhet.

Ky rekomandim kishte ardhur pas një ankese që e kishte paraqitur në AKK një operator ekonomik, rreth një tenderi prej rreth 100 mijë euro për asfaltimin e një rruge në veri të Kosovës.

AKK konstatonte se operatori ekonomik PTP “RAD” për këtë tender kishte prezantuar një listë me 24 kontrata të realizuara me komunat paralele të Serbisë në Kosovë, të cilat operojnë ilegalisht në Republikën e Kosovës.

ATK nuk tregon a kanë borxhe kompanitë

Sipas legjislacionit në fuqi gjatë ofertimit në tenderët publik, kompania garuese duhet të ketë borxhet e shlyera ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Lajmi.net ka pyetur zyrtarët në ATK për të kuptuar nëse kompania serbe që po i fiton gjithë tenderët, ka pasur ndonjë borxh paraprak, apo edhe aktualisht ndaj ATK-së.

Ndërsa jozyrtarisht nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik –KRPP, kanë thënë se në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës nr. 04/L-042, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik në  pajtim me nenin 88, ka kompetencë, autoritet dhe përgjegjësi për të vëzhguar, monitoruar dhe mbikëqyr aktivitetet e prokurimet në të gjitha autoritetet kontraktuese të Kosovës.

“LPP- ka të rregulluar procedurat e prokurimit publik dhe nëse te gjitha kontratat që ju referoheni janë me procedura të hapura, mundet që një operator ekonomik të fitoi disa kontrata me kushtin që të përmbush kërkesat e vendosura nga Autoriteti Kontraktues, dhe te plotësoj kriterin për dhënie te kontratës. Si rrjedhojë e kësaj me rastin e publikim të njoftimit për kontratë kanë të drejt te gjithë operatorët ekonomik që janë të interesuar për pjesëmarrje të ofertojnë dhe nëse gjatë fazës së tenderimit ka parregullsi operatorët kanë të drejt të paraqesin ankesë sipas neni 108A dhe 109 te LPP-së”.

Kompania “RAD” ka marrë tenderë jo vetëm nga katër komunat e pjesës veriore. Kjo kompani ka kryer edhe punë të tjera me fonde të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian.

Në vitin 2014, Qeveria Serbe kishte investuar 3 milionë dinarë për ndërtimin e objektit të banimit në Oslobodjenje të Mitrovicës veriore. Në vitin 2014, Bashkimi Evropian kishte investuar 1.2 milionë euro në ndërtimin e stacionit të autobusëve dhe ndërtimit të shtëpisë së shëndetit, e këto punë i kishte kryer kompania “RAD”.

DOO Rad 028 është kompani me seli në Serbi, dhe me seli në Zveçan, e cila po ashtu është në pronësi të Radule Stević. Kjo kompani, në fillim të vitit të kaluar, në Mitrovicën veriore ka nisur ndërtimin e një konvikti për studentët. Këtë projekt e ka financuar Qeveria e Serbisë në vlerë prej rreth 2 milionë euro.

Tender edhe nga ministria që drejtohet nga Liburn Aliu

Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu, ka dhënë një tender prej gati 600 mijë euro grupit të operatorëve ekonomik “B CORP SH.P.K. ; Europa Partners SH.P.K. ; RAD D.O.O” për mirëmbajtjen e rrugëve në Kosovë, gjegjësisht për pjesën e Mitrovicës.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka deklaruar se dikasteri të cilin ai e udhëheq po e trajton seriozisht çështjen e tenderit që Zyra e Prokurimit të kësaj ministrie ia ka dhënë kompanisë RAD D.O.O., në pronësi të Radule Steviq, i sanksionuar dje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesëtar i grupit të krimit të organizuar, të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq.

Aliu në një konferencë për media tha se kompania e Steviqit nuk kishte qenë më herët në “listë të zezë”.

Kjo sipas tij, ia ka mundësuar kompanisë së lidhur me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq të fitojë tender për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Jemi duke u marrë me këtë çështje, pas lajmit që e kemi marrë. Kjo kompani ka marrë tenderë edhe më herët. Nuk ka qenë asnjëherë në listë të zezë. Pra, ligjërisht për mos me e lanë mos me e lënë me e marrë tenderin këtë kompani, nuk ka pasur mundësi për shkak se ata nuk kanë figuru në atë listë të zezë të kompanive të papërgjegjshme. Tash, si do të jetë dhe çfarë do të bëhet me këtë kontratë, jemi duke i shqyrtuar mundësitë ligjore të cilat janë. Jemi duke e marrë shumë seriozisht këtë çështje”, tha Aliu.

Aliu vlerësoi se vendimi për sanksionim të këtyre personave e ndihmon jashtëzakonisht shtetin e Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Në harmoni me këtë vendim, ne do të jemi shumë të përgjegjshëm dhe do ta trajtojmë me seriozitetin më të madh. Dhe uroj që sa më shpejt ta gjejmë hapësirën ligjore që ta ndalim këtë kontratë”, tha Aliu.

I pyetur për mundësitë reale të shkëputjes së kontratës, Aliu tha se këto janë çështje ligjore dhe se ata që merren me ligjin brenda ministrisë duhet t’i japin opsionet më të mira.

Ndërkohë, të mërkurën, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, që është në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, publikoi një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Përveç Steviqit, në këtë listë janë përfshirë edhe Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova.

Me futjen në listën e sanksioneve, pronat e të gjithë të sanksionuarve bllokohen dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet që të bashkëpunojnë me ta.

SHBA-ja tha se Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Sipas njoftimit, ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.

Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.


(Kosova Sot Online)