Basha: Escobar u pajtua me qëndrimin tim se integriteti territorial i Kosovës nuk vihet në diskutim

  • A.P /
  • 09 December 2021 - 23:00
Basha: Escobar u pajtua me qëndrimin tim se integriteti territorial i Kosovës nuk vihet në diskutim

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është pajtuar me qëndrimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lidhur me pacenueshmërinë e kufijve të Kosovës

Kjo u bë e ditur nga Basha, përmes një konference për media, pas takimit që pati me Escobar.

Basha tha se mori mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë nga Escobar lidhur me qëndrimin e tij për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës.

“Këtu ia bëra të qartë z. Escobarit qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me përkushtimet e ndërmarra sipas pakos Ahtisaari, që çojnë në pavarësinë e Kosovës dhe në përputhje me angazhimet që të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë në raport me integritetin territorial të saj. Jam i kënaqur t’u raportoj se në këtë qëndrim që paraqita, kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të zotit Escobar”, ka thënë ai.

Escobar sot ka zhvilluar vizitën e tij të parë në Shqipëri, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë.

(Kosova Sot Online)