Tornadoja godet shtëpinë e kujdesit, një i vdekur në Arkansas të ShBA-së

  • S.A /
  • 11 December 2021 - 08:48
Tornadoja godet shtëpinë e kujdesit, një i vdekur në Arkansas të ShBA-së

Një person vdiq, kur një tornado përfshiu një shtëpi kujdesi në Arkansas të Shteteve të Bashkuara, përderisa kulmi i një depoje të kompanisë “Amazon” u rrëzua dhe raportohet se shumë persona janë lënduar.

Marvin Day, gjykatës rajonal në Craighead, i tha agjencisë “Associated Press” se tornadoja e përfshiu shtëpinë e kujdesit “Monette Manor” në verilindje të Arkansasit rreth orës 20:15 të premten, sipas kohës lokale, duke lënë të vdekur një persona e duke ngujuar 20 të tjerë brenda ndërtesës që po shembej.

Rreth 90 minuta më vonë, ndërtesa ishte pastruar dhe janë gjetur të gjithë personat që besohej se kishin mbetur të ngujuar, por gjykatësi tha se ekipet ende duhet të kërkojnë nën rrënoja për viktima të mundshme, shkruan The Guardian.

“Duket se është goxha e shkatërruar”, tha Day për ndërtesën, duke bërë të ditur se disa banorë të shtëpisë së kujdesit u gjetën në bodrumin e saj dhe se ishin të përgatitur për këtë.

Ai shtoi se pesë persona kanë pësuar lëndime serioze dhe disa të tjerë lëndime më të lehta. Shtëpia e kujdesit ku ndodhi fatkeqësia ka 86 shtretër.

Pasoja nga moti i lig pati edhe në një depo të kompanisë së njohur, “Amazon”. Nuk ishte e qartë menjëherë se sa persona janë lënduar nga rrëzimi i kulmit të saj, por shërbimet emergjente lokale rastin e quajtën “incident me pasoja masive”.

(Kosova Sot Online )