Britania e paralajmëron Rusinë për pasoja të ashpra në rast të pushtimit të Ukrainës

  • S.A /
  • 11 December 2021 - 09:14
Britania e paralajmëron Rusinë për pasoja të ashpra në rast të pushtimit të Ukrainës

Sekretarja e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, e ka paralajmëruar Rusinë se do të përballet me pasoja të ashpra ekonomike, nëse e pushton Ukrainën.

Ajo tha se takimi i ministrave të jashtëm të Grupit G7 këtë fundjavë në Liverpul të Anglisë do të shpërfaqë unitet dhe do të bëjë të qartë se një veprim i tillë do të ishte gabim strategjik.

Zonja Truss shtoi se Britania e Madhe dhe aleatët e saj duhet ta frenojnë Rusinë që të mos e ndjekë këtë rrjedhë të veprimit, shkruan BBC.

“Nëse Rusia do ta merrte këtë veprim, do të ishte një gabim strategjik dhe do të ketë pasoja të ashpra për Rusinë”, tha kryediplomatja britanike.

Para takimit të Grupit G7, zonja Truss zhvilloi bisedë në Londër me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba. E pyetur se a mund ta përjashtojë reagimin ustarak ndaj agresionit rus, ajo tha se Britania e Madhe është duke punuar me Ukrainën për “kapacitetet e sigurisë dhe të mbrojtjes”.

Tensionet mes Moskës e Kievit janë të larta, pasi Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa afër kufirit me Ukrainën. Sidoqoftë, Kremlini ka mohuar se e ka në plan pushtimin e Ukrainës.

Rusia e ka akuzuar Ukrainën për provokim dhe ka kërkuar garanci që NATO-ja nuk do të zgjerohet në krahun e vet lindor dhe se nuk do të dërgojë armë afër kufijve të Rusisë.

(Kosova Sot Online )