Frika nga Omicroni, nxit mijëra kosovarë të marrin dozën e tretë

  • g./g /
  • 11 December 2021 - 13:06
Frika nga Omicroni, nxit mijëra kosovarë të marrin dozën e tretë

Doza e tretë dhe ajo përforcuese kundër coronavirusit për personat mbi 18-vjeç nga dje ka filluar të jepet edhe në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se doza e tretë e vaksinës kundër coronavirusit duhet të jepet jo më herët se tetë javë dhe ende pa i bërë gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Studimet e ndryshme në botë si dhe profesionistë të kësaj fushe vazhdimisht kanë bërë apel që të imunizohen edhe me dozën e tretë e sidomos nga zbulimi i virusit të ri Omicron që ka filluar të prek shumë vende.

Ani pse në Kosovë nuk është identifikuar ende asnjë rast, qytetarët siç duket  kanë frikën valës së pandemisë dhe i’a kanë mësyer qëndrave të vaksinimit qysh në ditën e djeshme.

Ministria e Shëndetësisë jep detaje

Në një përgjigje për Syri.net Kosova, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vetëm dje janë vaksinuar 4000 qytetarë, ku prej tyre më shumë së gjysma janë imunizuar me dozën përforcuese.

“Dje janë vaksinuar rreth 4000 qytetarë. Rreth gjysma prej tyre kanë qenë me dozë përforcuese”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Tutje, MSh ka njoftuar se doza e tretë ka efekt neutralizuese edhe ndaj variantit Omicron.

“Shumë shtete kanë filluar ta përdorin dozën e tretë para se të zbulohet Omicron varianti. Të dhënat që po bëhen publike nga hulumtues shkencor në botë, po tregojnë se tre doza të vaksinës, kanë efekte neutralizuese ndaj këtij varianti”, ka thënë MSh.

Por, sa do të ketë efekte anësore, MSh ka thënë se çdo vaksinë mund të ketë efektë anësore të lehta të cilët tregojnë për reagimin e organizmit në vaksinë.

“Të gjitha vaksinat mund të kenë efekte anësore, por që nuk janë të rënda, apo janë efekte të lehta anësore që tregojnë për reagimin e organizimit në vaksinë”, sqaroi tutje MSh.

Krahas objektivit të Qeverisë që të arrihet 60% e popullatës për t’u imunizuar me dy dozat e vaksinës, MSh ka thënë se në nivel të target grupeve të popullatës 16+ është arritur. Ndërsa, sa i përket 60% e gjithë popullatës ende nuk është arritur, por që pritet së shpejti të arrihet.

“Në nivel të target grupeve të popullatës (16+) ky objektiv është arritur, ndërsa tash synimi është në drejtim të arritjes së 60% të krejt popullatës. MSH po punon që të arrihet objektivi”, thuhet në përgjigje drejtuar Syri.net Kosova.

A duhet të marrin dozën e tretë gratë shtatzëna?

Të njëjtin mendim për dozën e tretë ndanë edhe gjinekologu dhe njëherësh edhe Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Në një përgjigje për Syri.net Kosova, Syla ka thënë që kjo dozë duhet të merret sidomos nga grupet e caktuar, në përjashtim për gratë shtatzënë për të cilat nuk mund të thotë që duhet ta marrin.

“Doza e tretë duhet të merret sidomos për grupet e caktuara. Sa i përketë 60 % kjo varet nga vetëdijesimi i popullatës por ende nuk është mbërri. Ndërsa për shtatzëna ende nuk kemi qëndrim”, tha gjinekologu, Blerim Syla.

Raporti i fundit nga Pfizer

Internisti Driton Vela vazhdimisht në rrjetin e tij në Facebook ndan studime të ndryshme që bëhen krahas dozave që neutralizojnë viruset që po prekin botën.

Se fundmi Vela ka publikuar një raport nga Pfizer në të cilin thuhet se doza përforcuese rikthen nivelin e antitrupave neutralizues ndaj variantit Omicron.

“Sipas Pfizer, doza përforcuese plotësisht e rikthen nivelin e antitrupave neutralizues ndaj variantit omikron në vlerat të cilat janë karakteristike për sasinë e antitrupave të cilat i fitojmë 3 javë pas dozës së dytë ndaj variantit klasik të SARS-COV-2”, thuhet në raport.

Kujtojmë që në Kosovë aktualisht janë 328 raste aktive me COVID-19.

Sa i përket vaksinimit brenda 24 orëve janë dhënë 3,991 doza të vaksinës kundër COVID-19. Ndërsa numri i qytetarëve të vaksinuar me dozën e dytë është 770.941.

“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1,640,380 doza të vaksinës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

IKShPK apelon qytetarët që të vaksinohen pasi që, sipas tyre, vetëm përmes vaksinimit do të luftohet pandemia COVID-19.

(Kosova Sot Online)