Dosja e Veselinoviqit: Përfitimet nga PTK-ja dhe strehimi i Enver Sekiraçës

  • G.G /
  • 11 December 2021 - 14:03
Dosja e Veselinoviqit: Përfitimet nga PTK-ja dhe strehimi i Enver Sekiraçës

Zvonko Vesellinoviq ka përfituar mbi 20 mijë euro nga një kontratë me Postën dhe Telekomin e Kosovës, ndërmarrjen publike shtetërore. Kreu i një bande kriminale në veri dhe i sanksionuar nga ShBA-ja, ka strehuar në shtëpinë e tij të dyshuarin si gangster i Prishtinës, Enver Sekiraqën. Këto veprime të Vesellinoviqit zbulohen në një raport të Policisë së EULEX-it. Paparaci e posedon raportin e plotë.

Mbi 20 mijë euro të taksapaguesve kosovarë kishin shkuar në xhepat e familjes së Zvonko Vesellinoviqit, kreut të një grupi kriminal në veri të Kosovës, të vendosur në Listën e Zezë të ShBA-ve të mërkurën.

Vesellinoviq, shpërblehej financiarisht nga shteti mes viteve 2007-2009 në këmbim të lirimit të hapësirës së tij private për një antenë të Postës dhe Telekomit të Kosovës, ndërmarrjes publike shtetërore.

Favoret e PTK-së për Vesellinoviqin zbulohen në një raport të Policisë së EULEX-it në veri, të publikuar më 2009. Paparaci e posedon raportin e plotë të hetuesve të Policisë së EULEX-it.

Dosja e EULEX-it që ka hetuar veprimtarinë ilegale të Vesellinoviqit, nxjerr në pah kontratën e Postës dhe Telekomit të Kosovës për vendosjen e një antene në pronën e kreut të një grupi të organizuar kriminal në veri.

Kontrata, obligonte PTK-në që t’ia paguante gruas së Zvonkos një shumë prej 1.000 eurosh në muaj. 350 euro në emër të qirasë për lirimin e hapësirës për pajisjet telekomunikuese të kësaj ndërmarrjeje publike dhe 650 euro në emër të shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të pajisjeve.

Dosja e hetuesisë dëshmon se marrëveshja mes PTK-së dhe familjes Vesellinoviq kishte hyrë në fuqi më 1 qershor, 2007, për të përfunduar më 1 qershor, 2009. Në kontratë figuron nënshkrimi i Etrur Rrustemajt, ish-drejtorit menaxhues të PTK-së.

Ai, kishte nënshkruar marrëveshjen dy muaj pas datës së planifikuar për hyrje në fuqi të saj, më 7 gusht të vitit 2007. Kurse Fatmir Gjonbalaj, shef i Prokurimit të PTK-së, figuron të ketë nënshkruar më 6 gusht të atij viti.

Kontrata ishte lënë në fuqi deri në fillim të vitit 2012. Atë e kishte shkëputur menaxhmenti asokohe i ri i PTK-së, raporton Paparaci.

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), me vendim të Qeverisë së Kosovës më 2011, ishte ndarë në dy biznese të ndryshme: Posta e Kosovës (PK) dhe Telekomi i Kosovës (TK).

Enver Sekiraqa strehohej në shtëpinë e Zvonkos

Një nga njerëzit më të kërkuar në Kosovë gjatë fundit të dekadës së viteve 2000, strehohej në shtëpinë e Zvonko Vesellinoviqit.

Enver Sekiraqa, gangsteri i dyshuar i Prishtinës që ndodhej në arrati nën dyshimin për vrasjen e policit Triumf Riza, ishte fshehur në vendbanimin e kreut të krimit të organizuar në veri, zbulon raporti i Policisë së EULEX-it të cilin e posedon Paparaci.

Bazuar në raport, Sekiraça i kishte ikur autoriteteve kosovare të rendit për t’u fshehur në shtëpinë e Veselinoviqit në Mitrovicë dhe në Serbi afër kufirit me Kosovën, derisa lëvizja e lirë i ishte kufizuar edhe nikoqirit të tij.

Atëherë, Sekiraça, nga Serbia kishte arritur ilegalisht të shkonte në Republikën e Irlandës.

Enver Sekiraça asokohe dyshohej se së bashku me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Rrahim e Ilir Abdullahun, si grup i organizuar nga Enver Sekiraça, të shtyrë nga motivi i paskrupullt, kishin vrarë Triumf Rizën.

Sekiraça, është kapur nga Policia e Kosovës në vitin 2012. Prokuroria e Shtetit e ka akuzuar gangsterin e dyshuar të Prishtinës për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte gjetur atë fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Për të njëjtat akuza ai ishte dënuar edhe në vitin 2020, mirëpo cështja ishte kthyer edhe një herë në rigjykim. Dy muaj më pare, gjyqtari i rastit e liroi Sekiraçën nga burgu, për t’ia vendosur masën e arrestit shtëpiak. Gjykimi ndaj tij është në vazhdim e sipër.

“Njeriu kryesor i krimit në Kosovë”

Zvonko Vesellinoviq, nikoqiri i Enver Sekiraçës në kohën kur ai ndodhej në arrati, përshkruhet nga policët ndërkombëtarë të EULEX-it si “njeriu kryesor i krimit të organizuar në Kosovë”.

“Zvonko Veselinoviq aktualisht është personi më i rëndësishëm në udhëheqjen e krimit të organizuar në Kosovë. Është i përfshirë në lloje të ndryshme të krimit, siç janë vjedhjet e veturave, kontrabandë me karburante, kontrabandë me drogë, trafikim me armë”, thuhet në raport. “Ai gjithashtu është i dyshuar në vrasje të ndryshme, rasti i fundit në tentativë ndaj ish-policit serb”.

Policët e EULEX-it, në raportin e vitit 2009, thonë se të gjitha operacionet e tij janë të mbuluara nga policë të korruptuar në veri.

Kjo madje në mënyrë të hapur. Inteligjenca ka thënë se incidentet e përmendura më parë ilustrojnë faktin se kriminelët e njohur që veprojnë në Mitrovicën e veriut janë të mbrojtur nga çdo hetim dhe arrestim nga zyrtarët e Policisë së Kosovës të stacionit policor në veri.

Hetuesit përmendin Milija Millosheviq, komandantin e stacionit në veri, Zhelko Bojiqin, asokohe shefin e grupit të ashtuquajtur Task Forcës dhe Pegrad Bogosavleviq, oficer policor në veri.

Informacione të besueshme tregojnë se Pegrad Bogosavleviq është paguar në mënyrë të rregullt për shërbimet e tij nga Milan Ivanoviq, një nga togerët e Zvonko Veselinoviqit.

Tre nga këta policë pasi ishin suspenduar një kohë, ishin kthyer në vendet e punës. Më 29 tetor 2009 në mbrëmje Milija Milosheviq, sipas EULEX-it, ka qenë i pranishëm në pagëzimin e djalit të Veselinoviqit në Grabovc.

Që të dy ishin takuar në Beograd me dy persona tjerë të quajtur Borislav Peleviq, deputet i Partisë Radikale Serbe dhe Bozidar Deliq, zëvendëskryetar i Kuvendit të Serbisë. Këta politikanë serbë e kanë pranuar këtë.

Veselinoviq kishte qenë nikoqir i ish-presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, në Kosovë. E kishte ndihmuar në aspektin logjistik fushatën e kësaj partie në Mitrovicë dhe është i afërt pothuajse me të gjithë liderët lokalë politikë serbë në veri të Kosovës.

Të mërkurën, Departamenti Amerikan i Shtetit, i vendosi në listën e sanskioneve Zvonko Vesellinoviqin, bashkë me vëllanë e tij, Zharkon, si dhe Millan Radoiçiqin. Si pjesë e grupit të organizuar të tyre, u sanksionuan edhe Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij departamenti, publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)