Ende s’ka leternjoftime në Kosovë, ministria e Xhelal Sveçlës fajin ia lë pandemisë

  • G.G /
  • 11 December 2021 - 14:37
Ende s’ka leternjoftime në Kosovë, ministria e Xhelal Sveçlës fajin ia lë pandemisë

Ka filluar shpërndarja e letërnjoftimeve për qytetarët që aplikuan deri në muajin shtator, ndërsa ata që aplikuan gjatë muajit tetor dhe nëntor ende vazhdojnë të përballen me mungesë të tyre.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme për Demokracia.com gjithë këtë e arsyetuan me pandeminë COVID-19, duke thënë se shkaktoi vështirësi edhe në tregun botëror.

‘’Ashtu sikurse pandemia me Covid-19 ka shkaktuar vështirësi në tregun botërorë, edhe tek ne ka ndikuar duke pasur vështirësi në furnizimin me material për dokumente’’, kanë thënë nga kjo ministri.

Duke shtuar se tanimë ka filluar pajisja e qytetarëve me Letërnjoftime.

‘’Ne tashmë jemi furnizuar me material sipas kontratës, dhe ju njoftojmë se pajisja e qytetarëve me Letërnjoftime është duke u bërë’’, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Demokracia.com

Ata që dy muaj më parë aplikuan për t’u pajisur me këtë dokument, janë ende në pritje.

Ministri Sveçla përmes një postimi në ‘Facebook’ në shtator kishte njoftuar se ishte finalizuar kontrata me kompaninë gjermane ’Veridos GmbH’ për furnizim emergjent me dokumente të identifikimit dhe mirëmbajtje të sistemit. Kontratë kjo në vlerë prej 3 milionë e 500 mijë euro, por pas negocimit me kompaninë kontrata është rritur për më shumë se 11 %, ose fiks në vlerë prej 3 929 080 euro.

Sa ishte Agim Veliu në udhëheqje të kësaj ministrie, një kontratë 1-vjeçare e nënshkroi me të njëjtën kompani, por me një vlerë prej 1 milionë e 204 mijë e 500 euro, pra me vlerë dyfish më të ulët.

(Kosova Sot Online)