Kosova ende pa përgjigje për mostrat e dërguara në Gjermani për variantin e ri Omicron

  • E.K /
  • 13 December 2021 - 09:24
Kosova ende pa përgjigje për mostrat e dërguara në Gjermani për variantin e ri Omicron

Me 7 dhjetor të këtij viti, mbi 30 mostra pozitive për COVID-19 janë nisur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për në Gjermani, për analiza më të detajuara për variantin e ri të koronavirusit. Rezultatet e tyre ende nuk kane dalur.

Kosova ende nuk ka marrë rezultatet e mbi 30 mostrave që u dërguan më 7 dhjetor për testim për variantin e ri Omicron dhe variantet tjera në Gjermani.

Këtë e kanë konfirmuar sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë thënë për gazetën se rezultatet e mostrave ka gjasa që mos të vinë gjatë kësaj jave, por që ato do të dalin këtë muaj.

Ndërsa, Xhevat Jakupi, drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK kishte thënë për Express se analizat që do të kryhen në Gjermani, do të detektojnë variantin Omicron dhe variantet tjera.

 “Mostrat dërgohen atje dhe analizat cilindo variant e detektojnë. Ne dërgojmë në mënyrë të rregullt mostra“, kishte thënë ai.

Varianti Omicron i COVID-19 ka filluar të përhapet në shumë vende të botës.

Shkencëtarët dyshojnë se varianti Omicron mund të jetë më ngjitës se varianti Delta i COVID-19, dhe mund të shtojë numrin e hospitalizimeve.

Omicron ka 86 mutacione në krahasim me 15 të Delta-s dhe me këtë variant po infektohen edhe personat që janë vaksinuar me dy doza të vaksinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur atë një “variant shumë të rrezikshëm për të gjithë globin”.

Sistemi Britanik i Shëndetit e përshkruan këtë variant si “më shqetësuesin që është parë ndonjëherë.”

Ndonëse ky variant është përhapur në Evropë, Kosova ende nuk ka raportuar ndonjë rast të infektuar me të.

(Kosova Sot Online)