E dhunoi një vajzë të mitur, Gjykata merr një vendim për të miturin nga Gjilani

  • E.K /
  • 13 December 2021 - 10:15
E dhunoi një vajzë të mitur, Gjykata merr një vendim për të miturin nga Gjilani

Gjykata Themelore e Gjilanit ka caktuar masën e paraburgimit ndaj një të mituri, i cili dyshohet për veprën penale “Dhunimi”.

Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se ekziston dyshimi se E.B. ka keqpërdorur seksualisht të miturën,e  cila për shkak të moshës nuk ka mundur të gjykojë e të vlerësojë pasojat e kryerjes së akteve seksuale.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i mitur ka keqpërdorur seksualit të miturën, e cila për shkak të moshës së saj nuk ka mundur të gjykojë e të vlerësojë pasojat e një marrëdhënie të tillë, e që nënkuptojnë edhe kryerjen e akteve seksuale. Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale dhunimi, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Viktima ishte raportuar e zhdukur nga familjarët, ndërkaq më 10 dhjetor të këtij viti ajo është kthyer në shtëpi.

“Me datë 10.12.2021 e dëmtuara është kthyer në shtëpi, duke qenë se ishte paraqitur si rast i humbur nga prindërit e saj, e njëjta së bashku me prindërit e saj është paraqitur në polici dhe ka lajmëruar rastin”, ka njoftuar Gjykata.

Lidhur me këtë rast, ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të datës 11 dhjetor.

“PERSON I ZHDUKUR I GJETUR-DHUNIM-Gjilan 09.12.2021 – 11:00. Viktima femër kosovare e mitur e cila ishte raportuar si e zhdukur është kthyer në shtëpi dhe sipas saj ajo kishte qenë në shtëpinë  e të dyshuarit mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur policia.

(Kosova Sot Online)