Mbi 2 mijë kosovarë marrin dozën e tretë dhe atë përforcuese të vaksinës

  • A.P /
  • 13 December 2021 - 16:10
Mbi 2 mijë kosovarë marrin dozën e tretë dhe atë përforcuese të vaksinës

Mbi 2 mijë qytetarë kanë marrë dozën e tretë dhe atë përforcuese të vaksinës Anti-COVID gjatë këtyre tri ditëve.

Nga Ministria e Shëndetsisë kanë thënë se vendi ka furnizim të mjaftueshëm me vaksina për administrimin e të gjitha dozave.

“Kosova ka doza të mjaftueshme për të gjitha dozat, të para, të dyta, përforcuese dhe të treta. Deri tash janë administruar mbi 2,100 doza përforcuese dhe të treta. Mbi 1,100 përforcuese dhe 1000 të treta”, kanë thënë nga MSH.

Doza përforcuese e vaksinës po u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët imuniteti ka rënë. Këtë dozë mund ta marrin ata persona që kanë marrë dozën e dytë të vaksinës para 6 muajve.

Në anën tjetër, doza e tretë e vaksinës po u jepet personave të cilët kanë marrë dy doza të vaksinës, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur.

Dozën e tretë mund ta marrin qytetarët 8 javë pasi kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.

Infektologë në vend kanë kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen e të mbrohen nga virusi i cili po vazhdon të përhapet me shpejtësi në botë.

Sa i përket dozës së tretë dhe asaj përforcuese të vaksinës, drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj ka thënë për Express se qytetarët duhet se zbatojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai ka treguar se sot në Klinikën Infektive janë të shtrirë 4 pacientë të cilët e kanë kaluar virusin.

Prej tyre, sipas Vishaj vetëm 1 pacientë ka qenë i vaksinuar, edhe ai me një dozë të vaksinës Pfizer.

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur sot se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar 29 pacientë post-COVID, ndërsa në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 6 pacientë si post-COVID.

Prej numrit të përgjithshëm të pacientëve, sipas SHSKUK’së, 9 pacientë janë me oksgjeno- terapi, kurse në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive nuk ka pacientë.

Derisa Kosova po vazhdon të ketë një situatë të qetë epidemiologjike, vende të shumta tashmë po përballen me një valë të re të COVID-19.

Andaj vaksinimi i qytetarëve është vlerësuar i nevojshëm për t’u mbrojtur nga ky virus.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se deri tani janë administruar 1 milion e 644 mijë e 733 doza të vaksinës. 872 mijë e 196 persona kanë marrë një dozë të vaksinës, ndërsa 772 mijë e 537 dy doza.

(Kosova Sot Online)