Vuçiqi shumë i lumtur pasi BE-ja ia hapi Serbisë derën tjetër drejt integrimit

  • E.K /
  • 14 December 2021 - 14:24
Vuçiqi shumë i lumtur pasi BE-ja ia hapi Serbisë derën tjetër drejt integrimit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka quajtur lajm të madh dhe sukses të jashtëzakonshëm të Serbisë hapjen e grupit të katërt të kapitujve në negociatat me BE-në për integrim.

“Të nderuar qytetarë, lajme të mira dhe të mëdha këtë mëngjes nga Brukseli, Serbia ka hapur një grup të kapitujve. Këta kapituj kanë të bëjnë me politikën e transportit, rrjetet trans-evropiane, mjedisin dhe energjinë. Sukses i rëndësishëm, i madh për vendin tonë. Faleminderit shumë dhe Ursula von der Leyen”, ka thënë Vuçiq përmes një video-mesazhi.

Ai tha se “kjo është një nxitje e madhe dhe inkurajim i madh”.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë është shembull i qartë se si standardet e sundimit të ligjit mund të komprometohen nën komisionerin që përfaqëson ideologjinë e (kryeministrit hungarez) Viktor Orban, kishte thënë në nëntor eurodeputetja e të Gjelbërve dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel.

Në një tekst autorial për EURACTIV, anëtarja e Komitetit për Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe anëtarja e delegacionit të BE-së në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimin kishte shkruar se të Gjelbrit, që kur Komisioni Evropian i udhëhequr nga Ursula von der Leyen mori detyrën, kanë paralajmëruar se Komisioneri për Zgjedhim, Oliver Varheyi është “njeriu i gabuar në vendin e gabuar”.

“Dikush i emëruar nga një qeveri që shkel sundimin e ligjit dhe demokracinë nuk mund të jetë shembull i mirë për vende si Mali i Zi, Serbia apo Shqipëria, të cilat po luftojnë me tranzicionin e tyre demokratik”, shkruante eurodeputetja.

Von Cramon tha se shenjat e para të politizimit, në vend të paanshmërisë, u panë në fillim të mandatit të Oliver Varheyit, por se “më e keqja” ndodhi kur u prezantua paketa e zgjerimit 2021 për përparimin e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së”.

“Komisioni ka shkuar zyrtarisht nën standardet e tij dhe nën standardet evropiane duke lehtësuar raportin për Serbinë për vitin 2021, veçanërisht për standardet e sundimit të ligjit”, ka shkruar Von Cramon.

“Është gjithashtu një shembull se pse vlerësimi i përgjithshëm i Komisionit, veçanërisht për Serbinë dhe ndoshta disa vende të tjera, nuk mund të jetë burim i besueshëm dhe për këtë arsye rekomandimi për hapjen e kapitujve të rinj nuk qëndron”, thoshte eurodeputetja.

(Kosova Sot Online)