Si ranë në pritë ushtarët e UÇK-së në Betejën e Pashtrikut, rrëfehet ekskluzivisht ushtari i mbijetuar

  • A.P /
  • 14 December 2021 - 18:07
Si ranë në pritë ushtarët e UÇK-së në Betejën e Pashtrikut, rrëfehet ekskluzivisht ushtari i mbijetuar

I mbijetuari i Betejës së Pashtrikut, Vesel Aruçi i njohur me nofkën “Rambo” ka rrëfyer për këtë betejë.

Ai tha se edhe tani kur e viziton Pashtrikun ndihet keq dhe ka mall për bashkëluftëtarët që ranë në betejë. Aruçi tha se ishte me fat që nuk vdiq aty.

“Ndoshta se kemi pasur fatin me vdekë aty, se pastaj u dufke me u hakmarrë, me e marrë armatimin dhe me shku në beteja të tjera. Zoti ka dashtë që mos me mbetë të gjithë aty. Veç një hak që e kam marrë e kam vrarë një mercenar rus në kufirin me Shqipërinë, në Koshare. Ai ka qenë rasti më i mirë në hakmarrje të shokëve. Në bashkëpunim me shokë, por unë e kam pasur në afërsi dhe e kam vrarë”, ka thënë ai.

Aruçi foli edhe për një urdhër të dhënë nga komandanti Mujë Krasniqi, për t’i trajnuar 30 ushtarë që do të bëheshin pjesë e FSK-së.

“Ne kemi shkuar 24 herë në Shqipëri për të marr armatim. Kur kemi shkuar atje, para se me ra në pritë, jemi takuar me Mujë Krasniqin, Afrim Musliun e shumë shokë të tjerë. Mujë Krasniqi dhe Rifat Mziu më thanë që këta ushtarë ki me i stërvitë, sa të rrini këtu. Ndenjëm nja tri javë ditë. U ngritshim herët dhe i stërvitshim ata”, ka thënë ai.

Ushtari i mbijetuar i Pashtrikut foli edhe për nisjen e një grupi të ushtarëve nga Shqipëria në Kosovë.

“Ushtarët ishin të gjithë Kosovë. Më së shumti ka pasur të Drenicës dhe Shtimes, por edhe të rrethinës. Para se mu nis, Mujë Krasniqi na doli përpara dhe na tha kush nuk jeni për me u nis në Kosovë, ndaluni më mirë. Krejt kem të gatshëm për luftë”, tha më tutje ai për “Frontal”.

Ai foli edhe për bartjen e armatimit nga Shqipëria në Kosovë. Vetëm ai tha se i ka bartur afër 60 kg armatim.

“55-60 kg armatim i kam pas përafërsisht”, tha ai.

Aruçi foli edhe për momentin që ranë në pritë.

“Nja 20 minuta pasi jemi nisur nga Shqipëria, posa filloi të zdritet dita na kanë dalë në të dy anët.  Kemi qenë në një luginë duke ecur dhe sa kanë mundur na kanë gjujtë në të dy anët. E di vetën jam çu dhe kam thënë djem mos u dorëzoni dhe kemi gjujtë sa kemi mujtë. Edhe vet kem luftu, edhe Mujë Krasniqi ka luftu. Çdo ushtarë ka luftu, po normal që dikush e ka pas edhe vdekjen”, ka thënë ai. 

(Kosova Sot Online)