Donika Gërvallës i ndalohet hyrja në Serbi

  • E.K /
  • 15 December 2021 - 14:05
Donika Gërvallës i ndalohet hyrja në Serbi

Zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës, i është ndaluar hyrja në Serbi.

Asaj i është anuluar vizita e planifikuar në Luginën e Preshevës për shkak se shteti fqinj nuk i ka lëshuar leje për vizitë.

Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga MPJ.

“Ne kemi kërkuar leje. Vizita ka dështuar për shkak të lojërave të pandershme të Beogradit. Vizitën do të përpiqemi megjithatë ta realizojmë në një datë tjetër”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkaq, drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovë” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka deklaruar se Beogradi zyrtar ka aprovuar kërkesën e një anëtari të kabinetit qeveritar të kryeministrit Kurti për ta vizituar Bujanocin dhe Preshevën.

Petkoviq ka folur nga Jarinja për aprovimin e kërkesës për vizitë në Luginë të Preshevës të një anëtari të qeverisë së Kosovës, pa specifikuar se për kë bëhet fjalë.

“Për dallim nga Prishtina, që na ndalon hyrjen, Beogradi po sillet me përgjegjshmëri dhe ne respektojmë të gjitha marrëveshjet. Sot ne kemi aprovuar hyrjen e një anëtari të kabinetit të qeverisë Kurti në Preshevë dhe Bujanoc sepse ne respektojmë marrëveshjet dhe lirinë e lëvizjes dhe marrëveshjen për vizitat zyrtare të cilat shfaqin qartë që ne duam normalizim të marrëdhënieve, duam të ndërtojmë paqe dhe duam marrëdhënie më të mira që është çelësi për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, tha Petkoviq.

Media ka dërguar pyetje në adresë të zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu por i njëjti s’është përgjigjur deri në publikimin e tekstit.

Petkoviq sot është kthyer prapa nga pika kufitare në Jarinjë dhe s’është lejuar të hyjë në Kosovë.

(Kosova Sot Online)