Kushtetuesja rrëzoi vendimin e Kuvendit, reagon deputeti Tahiri që inicoi kërkesën në Gjykatë

  • A.P /
  • 15 December 2021 - 15:53
Kushtetuesja rrëzoi vendimin e Kuvendit, reagon deputeti Tahiri që inicoi kërkesën në Gjykatë

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi Kushtetuesja e ka cilësuar si anti-kushtetuese vendimin e Kuvendit për shkarkimin e e pesë anëtarëve të Këshillit Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në qershor të këtij viti.

Tahiri i cili ishte parashtruesi i kërkesës në Kushtetuese së bashku me 10 deputetë tjerë ka thënë se pëpjekja e pushtetit për t’i konvertuar institucionet e pavarura në instrumente politike ka marrë goditjen meritore nga Kushtetuesja.

“Përpjekja e pushtetit aktual për shkatërrimin e institucioneve të pavarura, në mënyrë që t’i konvertojnë ato në instrumente politike në shërbim të tyre dhe familjarëve të tyre, sot ka marrë goditjen meritore nga Gjykata Kushtetuese. Afër gjashtë muaj më parë, ne paralajmëruam mazhorancën e Kuvendit se shkarkimi i jashtëligjshëm i pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ishte kundër kushtetues, si dhe një përpjekje e hapur për të ndërhyrë politikisht në mënyrë brutale, në një institucion të pavarur e të bazuar shumë qartë në ligj”, ka shkruar Tahiri.

Deputeti Tahiri tha se vendimi i Kushtetueses është fitore e të drejtës mbi padrejtësinë.

“E ritheksoj se, kjo është një fitore e të drejtës mbi padrejtësinë, e meritës mbi arrogancën. Fitore e demokracisë si vlerë mbi keqpërdorimin në emër të saj. Institucioni i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, është aty për të mbrojtur nëpunësit civil dhe të drejtat e tyre. Ai, siç çdo institucion tjetër i pavarur e kushtetues, nuk mund dhe s’do të lejojmë të shndërrohet në mjet të pushtetit për shantazh ndaj nëpunësve publik në Republikën e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

(Kosova Sot Online)