Ish-ambasadori Bosch: Gjykata Speciale s’duhej të ishte – kjo është një kauzë politike

  • A.P /
  • 15 December 2021 - 21:42
Ish-ambasadori Bosch: Gjykata Speciale s’duhej të ishte – kjo është një kauzë politike

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka folur për mohimin e Serbisë për masakrën e kryer nga forcat serbe në Reçak dhe punën e Gjykatës Speciale në Hagë.

Ai në një intervistë  ka thënë se Serbia me mohimin e masakrës në Reçak po vazhdon ta paraqesë veten si viktimë njësoj sikurse në Bosnjë.

“Serbët po përpiqen të rishkruajnë historinë duke i paraqitur ata si viktima dhe jo si ata që filluan konfliktin, e kanë bërë në Bosnjë, e kanë bërë me ju dhe vazhdojnë ta bëjnë gjatë gjithë kohës. Sigurisht, nuk është e vërtetë, është një mënyrë shumë e zgjuar për ta paraqitur veten viktimë dhe kështu duke krijuar Gjykatën Speciale në Hagë. Është një gjykatë që ndjek viktimat, ndërsa agresorët e vërtetë nuk ndiqen penalisht. Ndoshta kjo është arsyeja pse ata (serbët) vazhdojnë me këto lajme të rreme dhe duke rishkruar historinë në mënyrën e tyre”, tha Bosch.

Duke folur rreth akuzave të fundit të speciales ndaj Policisë së Kosovës, ish-ambasadori Bosch tha se Policia e Kosovës është një nga institucionet më të vlerësuara në Kosovë, kështu që nuk ka asnjë arsye për ta akuzuar për ndonjë gjë.

“Në anën tjetër ata duhet të lavdërohen duke u bazuar në aksionet që po i ndërmarrin po tregojnë që e bëjnë një punë mjaft të mirë, prandaj mendoj se nuk asnjë arsye që të akuzohen për ndonjë gjë. Ky institucion është vlerësuar nga të gjithë, duke përfshirë edhe ndërkombëtarët”, u shpreh ai.

Bosch ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë, ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së për kinse krime lufte, është një gjykatë e çuditshme, pasi që ajo nuk ndjek kryerësit e vërtetë të krimeve, por viktimat.

“Siç e kam thënë edhe më parë, kam disa dyshime për këtë gjykatë, sepse është një gjykatë e çuditshme dhe që shkon vetëm pas një grupi dhe jo pas grupit tjetër të konfliktit. Unë mendoj se gjykata nuk duhet të ishte këtu dhe në fakt mendoj se kjo është një kauzë politike. E gjithë ideja, raporti i Martit, baza e raportit të Martit ishte rreth trafikut të organeve. Nëse do të kishte ndodhur trafikimi i organeve, do të ishte e tmerrshme siç e përshkroi ai. Raporti i Clint Williamson arriti në përfundimin se nuk kishte të bënte fare me këtë, kështu që nuk ka asnjë provë. Kjo do të duhej të
ndalonte të gjithë akuzën, sepse nuk ka asnjë arsye për të vazhduar, pasi që trafikimi i organeve ishte arsyeja pse të gjithë ishin kaq të mërzitur. Sigurisht, që sipas meje, shumë nga këta njerëz që drejtojnë gjykatën, menduan se kjo është një gjë shumë e bukur, se mund të vazhdojnë punën e tyre të paguar mirë dhe kjo është një humbje e taksapaguesve. Tani ne shpërdorojmë shumë miliarda në këtë gjykatë nga paratë e taksapaguesve evropianë. Mendoj se taksapaguesit evropianë duhet të protestojnë dhe ta ndalojnë këtë gjykatë”, tha Bosch.

(Kosova Sot Online)