Kishte vjedhur një pallto me vlerë 100 euro në Prishtinë, e akuzuara del para gjykatës

  • E.K /
  • 16 December 2021 - 11:29
Kishte vjedhur një pallto me vlerë 100 euro në Prishtinë, e akuzuara del para gjykatës

Mungesa e dokumentacionit identifikues e të akuzuarës A.Sh u bë shkak për shtyrjen e seancës së shqyrtimit fillestar, në rastin ku e njëjta po akuzohet se në shkurt të 2016-ës në lokalin “Beneton”, ka marrë një pallto në vlerë rreth 100 euro.

Gjyqtarja Sulltane Hoti, mori aktvendim që seanca e shqyrtimit fillestar e planifikuar të mbahet këtë të enjte, të shtyhet, pasi që e akuzuara nuk e kishte me vete letërnjoftimin, por vetëm librezën për ndihma sociale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Letërnjoftimin e kam harru në shtëpi, e kam veç një librezë për ndihma sociale”, ka deklaruar e akuzuara.

Ndryshe, e pranishme në këtë seancë ishte prokurorja Hava Krasniqi, ndërsa seanca e radhës u caktua për nesër, më 17 dhjetor.

Aktakuza e ngritur në shkurt të 2016-ës, ngarkon A.Sh se më 5 janar 2016, në lokalin “Beneton”, e akuzuara me qëllim të përvetësimit të kundërligjshme për vete apo personin tjetër, ka hyrë në lokal dhe ka marrë një pallto në vlerë prej 99 euro e 95 cent.

Në aktin akuzues thuhet se e akuzuara ka shikuar disa rroba, ka marrë dy pallto, ka hyrë në zhveshtore, por kur kishte dal nga zhveshtorja njërën pallto e ka lënë kurse tjetrën e kishte fut në qesen e saj personale dhe ishte larguar.

Me këtë, A.SH po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja”, nga neni 325, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)