Konfirmohen 5 raste me Omicron në Mal të Zi

  • E.K /
  • 17 December 2021 - 10:37
Konfirmohen 5 raste me Omicron në Mal të Zi

Pesë raste të variantit Omicron të coronavirusit janë konfirmuar zyrtarisht në Mal të Zi, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik të vendit.

“Të gjitha rastet e konfirmuara të infeksionit sot janë në gjendje të mirë të përgjithshme shëndetësore, me simptoma të lehta. Shërbimet epidemiologjike monitorojnë dhe identifikojnë kontaktet me rrezik të lartë të personave të infektuar”, thuhet në deklaratë.

Dyshimi i parë u konstatua më 4 dhjetor në një familje në fillim të muajit, pas së cilës të gjitha kontaktet e tyre u vendosën në izolim.

Në 24 orët e fundit në Mal të Zi janë konfirmuar 187 raste të reja me COVID-19 dhe dy persona kanë vdekur si pasojë e virusit, njofton Instituti i Shëndetit Publik.

Mali i Zi ka në total 1812 raste aktive me COVID-19. 42.8 për qind e popullatës janë të vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës ndërsa rreth 10.5 për qind e qytetarëve janë imunizuar me dozën e tretë.

Ministria e Shëndetësisë paralajmëroi gjithashtu kontrolle të intensifikuara të zbatimit të masave në këtë fundjavë, veçanërisht në qendrat turistike dimërore.

Ata do të kontrollojnë posedimin e Certifikatës Kombëtare Digjitale për COVID në ambientet e hotelerisë dhe në vende të tjera ku mblidhen një numër i madh njerëzish, si dhe nëse shkelet ndalimi për organizimin e dasmave dhe festimeve të tjera private.

(Kosova Sot Online)