Presidentja Osmani: Policia e Kosovës nuk i targeton etnitë por celulat e krimit

  • E.K /
  • 17 December 2021 - 11:16
Presidentja Osmani: Policia e Kosovës nuk i targeton etnitë por celulat e krimit

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka folur për aksionet e policisë së Kosovës në veri të vendit. Osmani tha se Policia nuk i targeton etnitë por celulat e krimit.

“Aksionet e policisë në çdo cep të Kosovës janë të pashmangshme për të mbrojtur jetën e shtetasve tonë. Policia jonë nuk i targeton etnitë por celulat e krimit, e në luftimin e krimit të gjithë duhet të jemi të pakompromis.Krimi i organizuar transnacional dhe korrupsioni shkojnë dorë për dore ashtu si trafikimi i armëve e drogës e pastrimi i parave.Institucionet e sigurisë do ta kenë përkrahjen e qytetarëve por edhe të institucioneve të vendit, policia gëzon përkrahje sepse mbron jetën e qytetarëve”, tha Osmani.

Shefja e shtetit tha se në AKI kanë emëruar profesionistë që janë besnikë ndaj republikës së Kosovës dhe askujt tjetër.

“Kemi emëruar profesionistë me integritet në krye të AKI-së, të cilët po sigurohen që besnikëria ndaj republikës sonë dhe askujt tjetër, disiplina, guximi dhe integriteti të jenë në qendër të çdo vendimi dhe operacioni që ndërmerr”, tha Osmani.

Tutje ajo tha se ata që e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të zbatimit të ligjit i japin mbështetje organizatave kriminale.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare të zbatimit të ligjit është jetik për ne, kundërshtuesit e këtij procesi duhet ta kuptojnë se kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Kosovës është i barabartë me mbështetjen për organizata kriminale transnacionale”, tha presidentja Osmani.

(Kosova Sot Online)