Grenelli punësohet si analist në një faqe amerikane të lajmeve

  • E.K /
  • 17 December 2021 - 11:48
Grenelli punësohet si analist në një faqe amerikane të lajmeve

Rrjeti konservator i lajmeve në Shtetet e Bashkuara, “Newsmax”, njoftoi se e ka emëruar nënpresident dhe analist ish-ushtruesin e detyrës së Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare të Donald Trumpit, Richard Grenell.

“Ric Grenell është mjeshtër i politikës, medieve dhe qeverisë dhe ne besojmë se shikuesit tanë do të përfitojnë njohje të thella nga përvoja e tij e gjerë dhe shërbimi publik”, tha përmes një deklarate shefi ekzekutiv i rrjetit “Newsmax”, Christopher Ruddy.

Në anën tjetër, Grenelli përmes një deklarate tha: “Jam i nderuar që t’i bashkohem Newsmax si kontribuues për Siguri Kombëtare dhe gjithashtu t’i udhëheq bashkëpunimet e tyre ndërkombëtare.”

Ky vendim erdhi kur “Newsmax” po përballet me paraqitjen e rrjetit “Fox News” si mbizotërues në fushën e medieve, sidomos në mesin e shikuesve konservatorë dhe përkrahës të Trumpit.

“Newsmax” e filloi vitin me vlerësime të forta dhe dukej se ishte në pozicion për t’i bërë konkurrencë të vërtetë “Fox News”-it, por ka dështuar që të lidhet me audiencë të madhe, shkruan Media Ite.

(Kosova Sot Online)