Hoti e quajti politikane joperëndimore Osmanin, i reagojnë nga presidenca

  • G.G /
  • 17 December 2021 - 13:52
Hoti e quajti politikane joperëndimore Osmanin, i reagojnë nga presidenca

Shefi i Stafit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, i ka reaguar ish-kryeministrit Avdullah Hoti pasi ky i fundit e quajti politikane me orientime joperëndimore presidenten Osmani. Shefja e shtetit sot në Kuvend tha se është cenuar rendi kushtetues me memorandumin një vjeçar për mos aplikim në organizata ndërkombëtare në Marrëveshjen e Uashingtonit që ishte nëshkruar nga Hoti.

Vela ka shkruar se rendi kushtetues është cenuar nga politikanët si Avdullah Hoti dhe jo nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë.

“Rendi kushtetues nuk është cenuar nga Zyra Ovale por nga politikanë të papërgjegjshëm si Hoti. Nga kryeministri jokushtetues i Kosovës nuk mund të presim respektim te Kushtetutës dhe të drejtës së patjetërsueshme të Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, ka shkruar Vela në Twitter.

Vela tutje ka shkruar se presidentja Osmani e ka kthyer në binarë aleancën me ShBA-të.

“Derisa ai ia ka fikur dritat politikës së jashtme, Presidentja e ka kthyer në binarë atë duke e forcuar aleancën me SHBA-të. E gjithë kjo është arritur pa bërë kompromis me kapësit e shtetit dhe pa shtyrë përpara ide të dëmshme për vendin”, ka shkruar ai.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në adresimin e saj për fundvit, ka përmendur edhe një nga pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit për moratorium një vjeçar.

Osmani thotë se pranimi i një pike të tillë e ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të drejtën për konsolidimin për subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Kosova ka miq dhe aleatë të rinj dhe të vjetër në të gjitha kontinente, që janë të palëkundur në mbështetjen që na japin në rrugëtimin tonë të drejtë të qerit anëtarë me të drejta të plota dhe të barabarta në komunitetin ndërkombëtar. E gjitha kjo ka ndodhur përkundër një starti jashtëzakonisht sfidues. Duke aplikuar një politike të jashtme tërësisht pasive  të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitet in tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme. Këto drita jo vetëm që janë të ndezura por po punohet pa rreshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët e tanë”, ka thënë presidentja Osmani.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-kryeministri Avdullah Hoti që e kishte nënshkruar marrëveshjen.

Hoti ka pyetur Osmanin se si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, meqë sipas Hotit, e njejta mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se sa disa politikanë dhe bartës të institucioneve në Prishtinë.

“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?!”, ka shkruar Hoti.

Hoti thotë se vetëm politikanë me orientime joperendimore mund të thonë dhe mendojnë gjëra të tilla.

“Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla”, ka shtuar Hoti.

“E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në.

Një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor, që e sheh Kosovën shtet të pavarur dhe të integruar në BE dhe NATO e jo ndryshe, punon me maturi dhe i ruan miqësitë.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe na ruajtë nga politikanët e papërgjegjshëm”, ka përfunduar Hoti.

https://twitter.com/Blerim_Vela/status/1471799033425506306?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1471799033425506306%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fhoti-e-quajti-politikane-joperendimore-osmanin-i-reagojne-nga-presidenca%2F

(Kosova Sot Online)