CNN: Rusia po vazhdon të grumbullojë trupa afër Ukrainës

  • G.G /
  • 18 December 2021 - 13:24
CNN: Rusia po vazhdon të grumbullojë trupa afër Ukrainës

Rusia ka vazhduar të grumbullojë trupa të reja afër kufirit të Ukrainës në ditët e fundit, pavarësisht thirrjes së Presidentit Joe Biden ndaj homologut rus, Vladimir Putin, për t’i ulur tensionet gjatë një takimi virtual të javës së kaluar.

Më shumë njësi ushtarake ruse janë dërguar në zonën kufitare ditëve të fundit, i kanë thënë televizionit CNN burimet e afërta me inteligjencës. Zyrtarët e ShBA-së dhe Ukrainës gjithashtu kanë parë dëshmi se Rusia ka filluar t’i devijojë sistemet komerciale ajrore dhe hekurudhore për t’i përkrahur përpjekjet ushtarake, ndonëse aktivitete të ngjashme ajrore e hekurudhore ishin të dukshme në pranverë, gjatë grumbullimit të kaluar ushtarak të Rusisë, që përfundimisht ishte tërhequr.

Sipas vlerësimeve të fundit të inteligjencës amerikane, më shumë se 50 grupe taktike batalionesh janë shpërndarë në kufi ose përrëth kufirit me Ukrainën, ndërsa gjashtë të tjera janë rrugës. Këto grupe, që zakonisht përfshirë nga 900 pjesëtarë, janë shumë të diversifikuara dhe njësi luftarake goxha të vetëmjaftueshme me kombinim të armëve, artilerisë, armëve anti-tank, njësi zbulimi dhe njësi inxhinierike. Këto grupe kishin pasur rol udhëheqës gjatë aktiviteteve ushtarake ruse në Ukrainë më 2014, përcjell Gazeta Express.

Administrata e Bidenit ende sheh mundësi për ta parandaluar pushtimin rus, duke vlerësuar se Putini ende nuk ka vendosur për të nisur sulm. Por një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha televizionit CNN: “Ne besojmë se bisedimet do të ishin më produktive, nëse do të ndodhnin në një mjedis de-eskalimi, sesa në eskalim.”

Rusia ka kërkuar disa garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, përfshirë moszgjerimin e aleancës në lindje të Evropës dhe moslejimin e anëtarësimit të Ukrainës në këtë grup ushtarak.

Pavarësisht ofertës për lehtësimin e takimit mes Rusisë dhe NATO-s për të diskutuar rreth shqetësimeve të Moskës, presidenti amerikan ka dhënë shenjë se ShBA-ja nuk do të bëjë ndonjë koncesion as për të ardhmen e NATO-s, as për të ardhmen e Ukrainës.

(Kosova Sot Online)