Berisha: Rama, Vuçiqi dhe Zaevi duan të asgjësojnë Pavarësinë e Kosovës

  • A.P /
  • 20 December 2021 - 19:13
Berisha: Rama, Vuçiqi dhe Zaevi duan të asgjësojnë Pavarësinë e Kosovës

Thirrësi i protestës, Sali Berisha, ka thënë se janë mbledhur për të protestuar kundër projektit fantazmë të treshes, Vuçiq, Rama dhe Zaev.

Ai ka thënë se mbeten të angazhuar për një bashkëpunim të sinqertë për bashkëpunim rajonal, or thotë se kjo është protestë kundër një projekti që shkon në kurriz të gjitha vendeve të Ballkanit.

Berisha ka thënë se ky është projekt që synon vendosjen e hegjemonisë serbe në këtë rajon.

“Ne jemi kundër këtij projekti sepse historia ka faktuar se një nga dështimet më të mëdha ka qenë ideja e hegjemonizmit serb në gadishullin tonë. Ne jemi kundër këtij projekti sepse bie ndesh me projektin tonë kombëtar. Ky projekt rindërtoi hartat e rajonit duke fshirë Kosovën”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se sot protestojnë si shqiptarë në shesh sepse MiniBallkani i hapur është projekt që ka rrethuar Kosovën në darë armiqësore dhe kërkojnë ta asgjësojnë pavarësinë e saj.

Berisha sot gjatë ditës, po ashtu tha se Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiqi është nga përgjegjësit kryesor.

“Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të”, ishte shprehur Berisha.

Pas fjalimit të Berishës, është përmbyllur protesta.


(Kosova Sot Online)