Ish-presidenti dyshohet për tradhti të lartë

  • A.P /
  • 20 December 2021 - 22:40
Ish-presidenti dyshohet për tradhti të lartë

Ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dyshohet për tradhti të lartë për blerjen e qymyrit nga separatistët pro-rusë, njoftuan sot hetuesit ukrainas, që është një akuzë e re ndaj rivalit të presidentit aktual Vladimir Zelensky.

Poroshenko (56), presidenti i Ukrainës nga viti 2014 në 2019 dhe aktualisht deputet, tashmë është i dyshuar në disa hetime për shkak të korrupsionit.

Zyra e Hetimeve të Ukrainës, e cila kryen hetime kundër zyrtarëve të lartë, njoftoi se Poroshenko dyshohet për “tradhti të lartë” pasi dyshohet se ka mbështetur “organizata terroriste” dhe me këtë nënkupton separatistët.

Sipas hetuesve, ai dyshohet se ka ndihmuar republikat e vetëshpallura të Lugansk dhe Donetsk t’i shesin qymyr Kievit në shumën prej 48.6 milionë euro nga 2014 deri në 2015.

Ukraina ka qenë në konflikt me këto provinca rebele që nga viti 2014.

Lufta shpërtheu pas aneksimit rus të Krimesë dhe deri më tani ka marrë më shumë se 13.000 jetë.

Poroshenko përballet me 15 vjet burg. Ai nuk ka komentuar deri më tani për akuzat e reja.

Një nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Oleksandr Turchynov, vlerësoi se afera ishte “fabrikuar me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit ukrainas”.

“Poroshenko është aktualisht jashtë vendit, por ai nuk ka ndërmend t’u shpëtojë autoriteteve,” tha Turchinov.

Në tetor, magnati pro-rus dhe deputeti me ndikim Viktor Medvedchuk u akuzua lidhur me aferën.

(Kosova Sot Online)