A u mbulua busti i Adem Jasharit në restorantin ku qëndroi Vuçiqi?

  • G.G /
  • 21 December 2021 - 08:26
A u mbulua busti i Adem Jasharit në restorantin ku qëndroi Vuçiqi?

Edi Rama mbrëm u ka bërë konak presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit në detyrë të Maqedonisë së Veriut,  Zoran Zaev në një restorant në Elbasan.

Jashtë këtij restoranti qëndrojnë bustet e Adem Jasharit, Skënderbeut dhe ai i Lekë Dukagjinit.

Mirëpo gazetari Kastriot Myftaraj ka thënë se busti i ish-komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, është mbuluar me rastin e ardhjes së Vuçiqit në këtë vend.

“Mbulohet shtatorja e Adem Jasharit në “Fish City” në Elbasan, me rastin e vajtjes së Vuçiq. Me rastin e vajtjes së Presidentit të Serbisë Vuçiq në “Fish City” në Elbasan, sipas agjendës së përcaktuar nga mikpritësi i tij Kryeministri Rama për vizitën e tij është marrë çdo masë që mikut të shquar nga Beogradi të mos i ngecë në fyt ndonjë “halë” dhe ta shijojë plotësisht peshkun e zgjedhur të oligarkut Gjergj Luca, pronarit të “Fish City”. Për të mos shqetësuar Vuçiqin është mbuluar shtatorja e Adem Jasharit, e cila gjendet në këtë resort”, thotë ai.

Edhe deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ka deklaruar se shtatorja e Adem Jasharit në restorantin ku po darkonte kryeministri Rama me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, është mbuluar për mos e parë Vuçiq.

Mirëpo mediat kosovare që po e përcjellin këtë ngjarje ishin atje dhe panë se një raportim i tillë nuk qëndron, meqë pamjet e siguruara siç mund t’i shihni më poshtë, dëshmojnë të kundërtën.

https://www.facebook.com/kastriotmyftaraj1966/posts/482449139909094

(Kosova Sot Online)