Paralajmërohen masa të reja edhe për të vaksinuarit

  • G.G /
  • 21 December 2021 - 10:25
Paralajmërohen masa të reja edhe për të vaksinuarit

Udhëheqësit gjermanë janë duke shqyrtuar masa më të ashpra për kufizimin e kontakteve dhe fushatë të përshpejtuar të vaksinimit në mesin e hapave tjerë, pasi ekspertët paralajmëruan se varianti Omicron mund ta çojë buzë shkëmbit infrastrukturën kritike.

Kancelari Olaf Scholz tha se e përkrah vendimin e mundshëm të një takimi të udhëheqësve federalë e shtetërorë, të planifikuar për të martën, për kufizimin e kontakteve private për ata që janë vaksinuar ose që janë infektuar e shëruar.

Duke folur në Romë, kancelari i ri gjerman tha se takimi gjithashtu do të përqendrohet në operimin e vazhdueshëm të institucioneve kritike si spitalet, stacionet e policisë dhe prodhuesit e energjisë në rast të shifrave të larta të rasteve si dhe dhënien e më shumë vaksinave, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Sipas një draft-dokumenti të parë nga agjencia “Reuters”, qasja në restorante, teatro dhe hapësira tjera kulturore do të mbetet e hapur për të vaksinuarit dhe të shëruarit, të cilët do të jenë të kufizuar në më së shumti dhjetë persona nga 28 dhjetori për tubime private.

Paneli këshillues shkencor i qeverisë tha të dielën se është e nevojshme që kontaktet të kufizohen më tej, pasi të dhënat deri më tani kanë treguar se dozat përforcuese të vaksinës nuk do të ishin të mjaftueshme për ta kontrolluar përhapjen e virusit.

(Kosova Sot Online)