Europa e frikësuar nga virusi, ashpërsohen masat dhe anulohen festimet

  • G.G /
  • 21 December 2021 - 10:45
Europa e frikësuar nga virusi, ashpërsohen masat dhe anulohen festimet

Frika nga përhapja e Omicron ka bërë që shumë vende europiane të shtrëngojnë masat kufizuese për festat e fundvitit, pasi kërkojnë të ndalojnë një valë të katërt infektimesh.

Referuar paralajmërimeve të ekspertëve, që rastet e Omicron do të rriten ndjeshëm gjatë javëve të ardhshme, vendet evropiane kanë miratuar masa të reja, më të rrepta, duke u bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të bëjnë dozën e tretë të vaksinës.

Holanda është rimbyllur sërish deri pas periudhës së festave. Dyqanet, restorantet, baret, kinematë, muzetë, parukeritë, do të qëndrojnë të mbyllura deri me 14 janar.

Ndërsa në Francë, organizimet e Vitit të Ri do të anulohen dhe njerëzve iu është kërkuar të bëjnë grumbullime të vogla familjare për darkat festive. Ceremonia e hedhjes së fishekzjarreve në natën e ndërrimit të viteve në Paris dhe koncertet e planifikuara në Champ Elize janë anuluar. Franca ka mbyllur dyert për udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa nuk përjashton mundësinë e vaksinimit të detyrueshëm.

Gjermania ka rivendosur karantinën dy-javore për udhëtarët që vijnë nga Britania, duke qenë se ky i fundit ka patur rritje shqetësuese të rasteve me Covid-19 dhe Omicron.

Ndërsa në Austri mund të hyjnë vetëm personat që kanë marrë dhe dozën e tretë të vaksinës. Të tjerët, përfshirë dhe ata që kanë marrë dy doza, do duhet të tregojnë tamponin negativ ndërsa të pavaksinuarit do të qëndrojnë në karantinë për afro dy javë.

Danimarka ka mbyllur kinematë, teatrot, muzetë, dhe galëritë e artit si dhe ka ndaluar koncertet, në të gjithë vendin për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

(Kosova Sot Online)