Dogjën flamurin e Serbisë në Tiranë, arrestohen 2 protestues, 6 të mitur nën hetime

  • G.G /
  • 21 December 2021 - 10:53
Dogjën flamurin e Serbisë në Tiranë, arrestohen 2 protestues, 6 të mitur nën hetime

Dy protestues janë arrestuar nga policia ndërkohë që 6 të tjerë janë vënë nën hetim pasi një ditë më parë, në protestën e organizuar nga Sali Berisha kundër vizitës së Vuçiç në Tiranë dogjën katër flamuj serbë para kryeministrisë

Poliicia bën me dije se në pranga janë vënë Astrit Cara, 41 vjeç, banues në Tiranë dhe Besnik Balani, 56 vjeç, banues në Krujë. Ndërkohë po hetohen në gjendje të lirë 6 protestues të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.

“Tiranë/Dogjën 4 flamuj kombëtar të Serbisë, vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë. Strukturat e Policisë së Shtetit, pas provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe shoqërimin e 8 personave që u përfshinë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zhvillimit të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:. A. C., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe B. B., 56 vjeç, banues në Krujë Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës.

Këta shtetas, gjatë zhvillimit të protestës pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, kanë djegur katër flamuj kombëtar të Serbisë. Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”, njofton policia. 

(Kosova Sot Online)