Bullgarët turren në Turqi për blerje pas rënies së lirës

  • G.G /
  • 21 December 2021 - 12:47
Bullgarët turren në Turqi për blerje pas rënies së lirës

Para një dyqani të qytetit historik turk, Edirne, ndodhen shumë autobusë bullgarë. Kjo skenë ndoshta e përshkruan më së miri krizën e valutës shtetërore, lirës.

Qyteti me shumë xhami në skajin perëndimor të Turqisë dikur ishte kryeqytet i Perandorisë Osmane, kur ajo ishte duke u zgjeruar në Lindje të Mesme e Evropë në shekujt XIV dhe XV, shkruan France24.

Tani, Edirne është vendi ku blerësit nga Bullgaria e pjesë të tjera të Ballkanit – edhe vetë disa nga shtetet më të varfra në Evropë – shkojnë për të blerë rezerva për shumëçka, nga veshjet e brendshme deri tek arrat, për shkak të çmimeve më të lira se në atdhe.

“Për ne, kriza është e mirë, por është shumë e keqe për popullin turk. Ne ishim në gjendje të ngjashme ndoshta para 10, 11, 12 vjetëve. Është shumë vështirë”, tha rrëfyesja e udhëtimeve, Daniela Mircheva, para se të hipte në autobusin që do ta çojë në vendlindje, në Yambol.

Vlera e lirës ka pësuar rënie për shkak të ndikimit të një eksperimenti ekonomik të Presidentit Erdogan, i cili po synon ta rrisë përkrahjen para zgjedhjeve të vitit 2023.

Sidoqoftë, duket se bullgarëve nuk u ka mbetur shumë kohë për blerje me çmime të lira. Lira shënoi rritje të vlerës prej 15 për qind të martën, duke e vazhduar rimëkëmbjen historike pas rekordit të shifrave të ulëta, pasi Presidenti Rexhep Erdogan publikoi një plan për të cilin tha se do t’i garantojë depozitat e valutës vendëse kundër luhatjeve të tregut.

Valuta u forcua të martën në mëngjes, pas orës gjashtë, duke u tregtuar me 11.09 njësi për një dollar amerikan, shkruan Reuters.

(Kosova Sot Online)