Kush është ish-kryetari i Shtërpcës që u arrestua sot për keqpërdorim të pozitës

  • G.G /
  • 21 December 2021 - 13:14
Kush është ish-kryetari i Shtërpcës që u arrestua sot për keqpërdorim të pozitës

Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, u arrestua të martën nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, bënë të ditur autoritetet në Kosovë.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.

Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe.

Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Nikolliq, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.

Zyrtarët e Listës Serbe, së bashku me Goran Rakiqit duke shkuar së bashku në qendra të votimit. 21 qershor, 2020.

Ndaj arrestimit të tij reagoi Lista Serbe, e cila tha se e dënon “përdorimin e tepruar të forcës” dhe “aksionin brutal” që u krye në Komunën e Shtërpcës.

“Veçanërisht shqetësues është fakti se gjatë këtij aksioni – me deklaratat nga terreni – policia ka penguar lëvizjen, hyrjen dhe daljen nga Komuna e Shtërpcës, të njerëzve të thjeshtë, përfshirë edhe ata që kishin nevojë për ndihmë mjekësore”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Policia e Kosovës nuk ka dalë ende me detaje të operacionit.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kjo është “një tentativë tjetër brutale për të frikësuar popullin serb në Kosovë” dhe “një terror i ri i kryeministrit Albin Kurti”.

Kush tjetër u arrestua?

Pos Nikolliqit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, arrestoi edhe rreth dhjetë persona në Shtërpcë, mes të cilëve drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

(Kosova Sot Online)