Varhelyi dëshiron që shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i kthehen Tregut të Përbashkët Rajonal

  • G.G /
  • 21 December 2021 - 13:35
Varhelyi dëshiron që shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i kthehen Tregut të Përbashkët Rajonal

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka shkruar në llogarinë e tij zyrtare në “twitter” pasi sot ka marrë pjesë në takimin e “Open Balkan” që është organizuar në Tiranë, shkruan Gazeta Express.

Varhelyi ka thënë se do të ishte ideale nëse gjendet një rrugë për t’u kthyer në Tregun e Përbashkët Rajonal, derisa ka ftuar edhe tri shtetet tjera që të bëhen pjesë e proceseve.

“Bazuar në rregullat e Bashkimit Evropian, çdo bashkëpunim rajonal, jo vetëm që është i mirësëardhur, por është edhe fitimprurës për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian. Do të jetë ideale nëse gjendet një rrugë për t’u kthyer në Tregun e Përbashkët Rajonal. I ftoj edhe tre partnerët tjerë të kthehen në proces”, ka shkruar Varhelyi.

Varhelyi edhe në fjalën e tij në takimin e “Open Balkan”, ka thënë se është përkrahës i kësaj iniciative.

“Kam qenë gjithmonë i prirur shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi. Së pari u quajt Minishengen, më pas u përpoqëm brenda procesit të Berlinit, krijuam tregun e përbashkët rajonal. Por për fat të keq, me disa zgjedhje në rajon, kjo nismë u la menjanë, dhe ndërkohë e konsiderojë këtë iniciativë një pasardhëse, një zëvendëse derisa të gjithë të jenë vërdallë rreth tryezës. Ky është një përfundim që e kam nxjerrë qysh prej fillimi, që ju të vazhdoni ta nxitni këtë nismë, sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë, sa i përket ekonomisë, shoqërisë, rajoni kërkon të jemi bashkë sic jemi ne në BE. E admiroj faktin se sa fort e ndjeni këtë nismë. Është nismë që ka ardhur prej jush, prej tre aktorëve që shoh rreth tryezës, dhe ju vazhduat ta shtynit përpara, edhe kur ne nuk arritëm që të tërhiqnim pjesëmarrjen e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, sepse ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal. Ne kuptojmë se ky është mesazhi që rajoni mund të përçojë, se jo vetëm që është gati për bashkëpunim rajonal, por po e zhvillon këtë bashkim. Mund të më përfshini si mbështetës të Ballkanit të Hapur”, ka thënë ai.

“Më lini ti ftojë tre partnerët e tjerë që ti kthehen këtij bashkëpunimi rajonal”, ka thënë tutje zyrtari i lartë i BE-së.

(Kosova Sot Online)